Vendi po vazhdon të përballet me largim të mjekëve. Vetëm gjatë vitit 2023, 167 mjekë i kanë braktisur vendet e punës, ndërkohë që ky trend ka vazhduar edhe në dy muajt e parë të këtij viti. Sipas Odës së Mjekëve, kushtet e punës, pagat dhe mundësia e specializimit janë arsyet kryesore të ikjes në vendet perëndimore
167 mjekë kanë marrë certifikatën etike më 2023, e që u shërben për punësim jashtë vendit. Ndërkohë në dy muajt e parë të këtij viti edhe 20 të tjerë kanë vepruar njësoj, tregojnë të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës.
Kjo ka bërë që shumë qendra të mjekësisë familjare nëpër komuna të përballen me mungesë mjekësh.
“Oda e Mjekëve të Kosovës nuk lëshon certifikatë për punësime në klinika private, por lëshon certifikatën e të kaluarës etike, dokument i cili mund të shërbejë edhe për punësim brenda apo jashtë vendit. Sipas sondazhit të realizuar nga Oda, kanë rezultuar se arsyet kryesore që mjekët kanë zgjedhur të largohen nga vendi janë: papunësia, kushtet e punës, kualiteti i shkollimit specialistik, si dhe pagat jo të kënaqshme të kategorisë së mjekëve të përgjithshëm”, thuhet në një përgjigje nga Oda e Mjekëve.
Fushë-Kosova është një prej komunave më të dëmtuara nga ky largim, për shkak edhe të numrit të madh të banorëve. Vetëm javën e kaluar tre mjekë kanë paraqitur dorëheqjet.
Mimoza Kolshi, drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se e gjithë Komuna e Fushë-Kosovës ka mbetur me më pak se 35 mjekë.
“Mendoj se kjo është një temë shumë shqetësuese për neve, sepse duke marrë parasysh se në çdo muaj në Fushë-Kosovë kemi largim të mjekëve. Sapo mora njoftimin se në muajin mars tre doktorë do të ikin për në Gjermani, andaj për çdo muaj kam largim të infermierëve, doktorëve”, ka thënë Kolshi.
E drejtori i QKMF-së në Fushë-Kosovë, Remzi Shala, parasheh vazhdimin e ikjes së mjekëve, ndërkohë e ka hallin edhe me mjekët e rinj.
“Do të ndikojnë shumë sepse do të mbetemi pa mjekë të rinj dhe ajo më e keqja është se ata po vijnë, e kryejnë praktikën, punësohen dhe aftësohen për të punuar për një kohë të shkurtër, kurse në momentin që ata janë të dobishëm për qytetarët e Fushë-Kosovës po shkojnë jashtë”, është shprehur Shala.
Gjatë vitit 2023, vetëm në Fushë-Kosovë mjekët u ofruan mbi 205 mijë shërbime për qytetarët.