Gjatë vitit 2020, pandemia ka tkurrur vizitat e qytetarëve të Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit. Sipas Instituti Shqiptar të Statistikave (INSTAT) gjatë vitit të shkuar, shtetasit e Shqipërisë kanë kryer 3.212.076 vizita në vend dhe jashtë tij me të paktën një natë fjetje. Kjo është më për shumë se 2 milionë vizita më pak se në vitin 2019, kur ishin regjistruar 5.350.604.
E nga vizitat e vitit 2020 të shtetasve të Shqipërisë, vetëm 2 për qind ishin me destinacion Kosovën apo 64.241. E po në këtë vit, INSTAT-i bën të ditur se nga Kosova në Shqipëri janë regjistruar 1.380.000 vizita.
Sipas të dhënave, vendi më i preferuar i shtetasve shqiptarë për vizita është kryeqendra Tirana, që përfshinë 26.3 për qind të totalit, ndërkohë për vizitat jashtë vendit, në krye është Grerqia me 2.1 për qind e pasuar nga Kosova me 2 për qind.
Gjithsesi, promovimi i nismës “Pusho Shqip” mesa duket është përqafuar vetëm nga qytetarët e Kosovës. Një javë më parë, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në emisionin “Sot” në KTV ka thënë se Kosovën po e penalizon mungesa e qendrave turistike.
“Kemi pasur një vit të begatë turistik. Sot që po flasim kemi një fluks vizitash nga Shqipëria në hapësirën e Kosovës, por kemi një vërejtje për Kosovën që nuk po bie borë më herët si vitet e tjera ku turistë nga Shqipëria vinin në Kosovë. Në qoftë se do kemi hapësira më tepër turistike në Kosovë, do jetë më mirë për ekonominë e Kosovës”, pati thënë Minxhozi.