Javën që vjen, më 16 nëntor, në Bruksel mbahet takimi i radhës ndërmjet kryenegociatorëve, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Sipas burimeve brenda Bashkimit Evropian, në këtë takim, ndërmjet tjerash, do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë e për çështjet e hapura.
Më herët ishte raportuar se nga mesi i nëntorit pritet takimi në nivel të kryenegociatorëve.
Nga BE-ja vazhdimisht kanë bërë thirrje për palët të zbatohen gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe atë për Asociacionin. Zyrtarët e Kosovës kanë përsëritur disa herë se nuk do të zbatojnë këtë marrëveshje, pasi e shohin të dëmshme për Kosovën, por edhe në kundërshtim me Kushtetutën sipas vendimit të Gjykatës Kushtetute. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Asociacioni duhet të bëhet me kompetenca ekzekutive sipas marrëveshjes.
“Asociacioni o do të bëhet me kompetencat që jemi marrë vesh në Bruksel ose faleminderit, ne punën tonë, ju tuajën dhe do të takohemi një ditë”, ka thënë Vuçiqi, përcjell “Kossev”.
Në BE nuk kanë dashur të komentojnë këto deklarata, por kanë hedhur poshtë pohimet se dialogu është bllokuar për qëndrime diametralisht të kundërta të palëve.
“Si rregull e përgjithshme nuk komentojmë prononcimet e komentet e ndryshme. Në vend të deklarohemi jemi të fokusuar në arritje të rezultateve. Dialogu nuk është bllokuar dhe vazhdon me punën e përditshme të përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçakut jo vetëm me palët por më gjerë në rajon e në arenën ndërkombëtar”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe sigurisë, Peter Stano.