Arbëri

Më 15 prill mbahet seanca konstituive e Kuvendit

Seanca e Kuvendit te Kosoves per KEK-un

Foto: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 15 prillin për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

"Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025 dhe në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025", ka njoftuar Presidenca. 

Seanca e parë konstituive udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe më i riu në sallë. Kuvendi zgjedh më pas kryetarin dhe pesë nënkryetarët – pra Kryesinë. 

Kryeparlamentari propozohet nga grupi më i madh parlamentare dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit (61). Tre nënkryetarët propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen po ashtu me shumicë votash të të gjithë deputetëve, ndërsa dy nënkryetarët tjerë janë nga radhët e komuniteteve joshumicë. Edhe ata zgjidhen me shumicë votash të të gjithë deputetëve.

Pas konstituimit të Kuvendit nis procedura për formimin e Qeverisë. Sipas Kushtetutës, presidenti duhet t’ia propozojë Kuvendit emrin e kandidatit për kryeministër, në konsultim me partinë politike apo koalicionin që ka fituar shumicën.

Në këtë rast, nga zgjedhjet e 9 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje është subjekti më i madh. 

Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i këtij subjekti, Arlind Manxhuka, ka thënë se “në përputhje me kohën dhe afatet Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë të gjitha propozimet e saj për pozitat përkatëse”.

Rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit janë certifikuar më 27 mars. Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 ulëse, pasuar nga Partia Demokratike me 24 ulëse, Lidhja Demokratike me 20 dhe koalicioni AAK-Nisma me 8 ulëse. Minoritetet kanë 20 ulëse.

Deri tash, Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve nuk ka konfirmuar ndonjë koalicion për arritjen e shumicës së nevojshme.