Arbëri

Me 13 kioska në Viti synohet promovimi i produkteve të shoqatave të grave e prodhuesve të vegjël

Në kuadër të projektit INTERDEV 2 të financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADA), Komuna e Vitisë dhe UNDP u përuruan sot 13 kioska në Viti, të cilat do të shërbejnë si pika shitëse për produktet e shoqatave të grave dhe prodhuesve të vegjël në komunë, duke mbuluar objektivat ekonomikë dhe socialë.

Projekti krijon mundësi që prodhuesit vendas të promovojnë prodhimet e tyre, të kenë hapësirë për shitje gjatë gjithë vitit dhe të fitojnë më shumë të ardhura.

Me këtë rast, prodhuesit vendorë patën rastin të shfaqin prodhimet e tyre, duke u dhënë vizitorëve një mundësi për të parë dhe blerë gjësende të ndryshme bujqësore dhe artizanale, përcjell Ksp.

Në ngjarje ishin të pranishëm edhe Sokol Haliti, kryetari i komunës së Vitisë, Ulrika Richardson, koordinatore e OKB-së për Zhvillim dhe përfaqësuese e përhershme e UNDP-së dhe Gunther Zimmer, shef i ADA-së për Kosovë të cilët u shprehën me fjalë miradije për këtë iniciativë dhe projektin në përgjithësi.

Ndryshe, që nga viti 2014, projekti INTERDEV, ka mbështetur banorët e komunave të Dragashit, Shtërpcës si dhe të Vitisë gjatë fazës së dytë, për të zhvilluar aftësi të reja, gjetur punë, rritur prodhimin bujqësor, dhe për të gjeneruar më shumë të ardhura për komunitetet lokale.

Projekti në mënyrë aktive promovon fuqizimin e grave, të rinjve dhe personave në rrezik për t’u lënë mënjanë, me mundësi për punësim, zhvillim të aftësive dhe ndërmarrësi rurale.