Rrjeti i OJQ-ve ‘Demokracia në Veprim’ ka thënë se i ka bërë të gjitha përgatitjet për t’i monitoruar zgjedhjet në veri të vendit.
“Demokracia në Veprim” ka angazhuar 116 vëzhgues për ta monitoruar fushatën që nis të hënën dhe zgjedhjet më 19 maj, raporton KTV.
Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim, ka thënë se ata janë të angazhuar që ta ruajnë integritetin e procesit zgjedhor.
Ndërsa, Srgjan Milojeviq nga ACDC-ja ka bërë të ditur planin operacional të vëzhgimit të këtyre zgjedhjeve.
“Në ditën e zgjedhjeve, DnV-ja do të ketë vëzhgues në secilin prej 87 vendvotimeve që pritet të hapen në territorin e katër komunave në veri të Kosovës. Për më shumë, DnV-ja do të angazhojë edhe ekipe mobile, të cilat do të përcjellin në përgjithësi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. DnV-ja fton të gjitha subjektet politike të përfshira në proces që të zhvillojnë një garë fer dhe të lirë zgjedhore. Ju bëjmë, po ashtu, thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të përfshihen në aktivitetet e fushatës parazgjedhore, në mënyrë që të jenë sa më të informuar për premtimet dhe programet e kandidatëve për kryetarë të komunave”, ka thënë ai.
Sipas DnV-së, për dallim nga herët e tjera, këtë herë nuk ka indikacione që do të ketë tensione gjatë fushatës.
Gjatë fushatës parazgjedhore, DnV-ja përmes raporteve ditore dhe konferencave për shtyp që do të mbahen në Mitrovicën e Veriut, synon ta informojë publikun lidhur me mbarëvajtjen e fushatës parazgjedhore.
58,500 qytetarë me të drejtë vote, do t’u drejtohen kutive të votimit të dielën më 19 maj në zgjedhjet për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.