Arbëri

MD-ja ngre padi kundër NPB-së për objektin e rrënuar në Lakrishtë

Ministria e Drejtësisë përmes Avokaturës Shtetërore ka dorëzuar padi ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë, me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Burime të KOHËS njoftojnë se MD-ja ka dorëzuar padi ndaj NPB-së për anulim të aktit noterial, kërkesë për masë të sigurisë dhe kallëzim penal ndaj zyrtarëve përgjegjës të NPB-së që pretendohet se kanë dëmtuar interesin publik duke e dhënë pronën komunale në shfrytëzim të përhershëm të një operatori të caktuar ekonomik.

Rasti ka të bëjë me ndërtesën e NPB-së në Prishtinë që është rrënuar e ku po planifikohet ndërtimi i një ndërtese milionëshe.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, në një konferencë për media disa ditë më parë u ka bërë thirrje subjekteve politike në Komunën e Prishtinës që të japin nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për ta trajtuar çështjen e, siç e quajti ai, “skandaleve në Ndërmarrjen Publike Banesore”.

Ai e akuzon ndërmarrjen publike të Komunës së Prishtinës se njëra nga kompanitë e përzgjedhura për projektin 200-milionësh është hapur vetëm një ditë para se të fitonte në këtë aplikim.

“Ndryshimi i rregullore së ndërmarrjes, humbja e pronës në emër të marrjes së disa lokaleve, akt noterial i paligjshëm, marrja e lejeve pa dokumentacion të plotë, pagesa milionëshe për leje nga NPB për pronën dhe objektet që tentonin t’ua transferonin kompanive të përzgjedhura në mënyrë shumë të dyshimtë. Një nga kompanitë e përzgjedhura për këtë projekt 200 milionësh është hapur vetëm një ditë para se të fitonte në këtë aplikim. Kjo ka mjaftuar që të nisin hetime dhe të ndalet. Kjo kompani që është themeluar një ditë më herët se të konkurronte ka fituar dhe ka nënshkruar kontratën me NPB”, ka thënë ai.

E Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e drejtuar nga Liburn Aliu, koshte ndaluar punimet e rrënimit të objektit të vjetër të NPB-së, pas protestës së banorëve, të cilët pretendonin se po rrezikoheshin nga përmbajtja e azbestit.

Ndërkohë në një postim sot lidhur me rastin, gazetari i RTK-së, Arsim Halili, që ka pronën në afërsi të vendit ku ka ndodhur rrënimin, ka publikuar dokumente ku thuhet se tekniku me shkollim të mesëm i kontraktuar nga NPB-ja ka kryer kundërligjshëm punën e gjeodetit, ndërsa kjo është miratuar nga Komuna e Prishtinës.