Arbëri

McKee: Partneriteti i SHBA-së me Kosovën është më i fortë se kurdoherë

Erin E. McKee

Miqësia dhe partneriteti i SHBA-së me Kosovën nuk do të jetë 10 apo 20 vjet, por 100 vjet e për shumë gjenerata, ka thënë ndihmësadministratorja për Evropë dhe Euroazi në USAID, Erin E. McKee. Në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ambasadorja McKee ka treguar për vizitën në Kosovë dhe takimet që ka pasur me drejtuesit e institucioneve të shtetit dhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Ka thënë se është impresionuar nga vullneti politik i Qeverisë për të ndërtuar institucione të forta demokratike dhe përkushtimi për të luftuar korrupsionin.

“E shoh që po ndërmerren hapa të fortë për të luftuar korrupsionin, për t’i institucionalizuar elementet që janë kyç në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë McKee në intervistë.

E pyetur për raportet me Serbinë, ajo ka thënë se e ardhmja e Kosovës është e rrënjosur me të ardhmen në Evropë.

“Mënyra për të ecur përpara është që të jemi të gatshëm të përfshihemi në dialog dhe të sigurohemi që njohja e ndërsjellë do të ndodhë, në mënyrë që stabiliteti dhe paqja të jenë themelet prej nga do të ndërtojmë të ardhmen”, ka thënë McKee.

KOHA: Do ta fillojmë këtë intervistë me vizitën tuaj që e keni zhvilluar këto ditë në Kosovë. Keni takuar anëtarë të shoqërisë civile. Por, sot keni takuar kryeministrin e Kosovës dhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani. A mundeni ju lutem të na shkoqisni disa nga përshtypjet që kishit pas këtyre takimeve dhe si do t'i përshkruani marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së, sidomos pas tensioneve të fundit me Serbinë?

McKee: Kjo është pyetje mjaft e komplikuar. Ishte e mrekullueshme të takohem si me kryeministrin e po ashtu me presidenten. Mendoj se këto takime janë përgjigje të pyetjes suaj se si është partneriteti sot mes Kosovës dhe SHBA-së. Është shumë i fortë dhe më i fuqishëm se kurdoherë. Mendoj se siç e dini, SHBA-ja është e përkushtuar në partneritetin me Kosovën për të ndërtuar një demokraci më të fortë, një ekonomi më vibrante, siguri energjetike, siç po ashtu, shpresë dhe mundësi më të mira për të ardhmen për të rinjtë, e po ashtu çdo anëtar të shoqërisë kosovarë. Në krye të agjendës është që të sigurohemi që të kemi rritje ekonomike gjithëpërfshirëse. Kryeministri dhe presidentja e rikonfirmuan këtë mëngjesin e sotëm. Dhe në fakt, presidentja ndau me mua brengën e saj të madhe dhe fokusin e madh në pjesëmarrjen e grave në mundësitë ekonomike. Dhe jam e lumtur të ndaj me ju, se USAID, Agjencia ime ka lansuar një program të ri të përqendruar në gratë sipërmarrëse dhe mundësitë ekonomike për gratë. Ishte koha për një program të tillë, më së paku thënë.
Sa u përket raporteve me Serbinë, siç e thatë, jam takuar me shoqërinë civile, jam takuar me njerëz gjithandej vendit, dhe çfarë kam dëgjuar nga të gjithë, është që njerëzit duan paqe dhe stabilitet. Dhe kjo tregon po ashtu për rritjen gjithëpërfshirëse ekonomike dhe mundësitë. Ne e dimë se e ardhmja e Kosovës është e rrënjosur me të ardhmen në Evropë, e lidhur me institucionet evropiane, dhe mënyra për të ecur përpara është që të jemi të gatshëm të përfshihemi në dialog dhe të sigurohemi që njohja e ndërsjellë do të ndodhë, në mënyrë që stabiliteti dhe paqja të jenë themelet prej kah ndërtojmë të ardhmen.

KOHA: Ju sapo përmendët njohjen reciproke. Por në të ashtuquajturin plani franko-gjerman njohja e ndërsjellë nuk është paraparë. E dimë se SHBA-ja e ka pas njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun Kosovë-Serbi. A qëndron SHBA-ja në atë pozicion që njohja e ndërsjellë është rruga për t’i zgjidhur çështjet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë?

McKee: Siç e thashë në fillim, njohja e ndërsjellë është parimi themelor që ne e mbajmë. Për më shumë detaje, do t’ju thosha të flisnit me ambasadorin e SHBA-së dhe Ambasadën. Unë jam këtu për të folur rreth partneritetit tonë të zhvillimit. Por një partneritet zhvillimor për të cilin kemi punuar për vite të tëra nuk do të ketë sukses në përshpejtimin e progresit nëse nuk kemi stabilitet.

KOHA: Ju keni qenë e përshirë po ashtu në Azinë Qendrore dhe pjesë të tjera të botës. Nga përfshirja që keni pasur në Azinë Qendrore dhe përfshirjen amerikane në Kosovë: Si do ta vlerësonit progresin nëse mund ta bëni një krahasim mes vendeve e Azisë Qendrore dhe Kosovës. Cila është perspektiva juaj?

McKee: Më vjen mirë që e përmendët Azinë Qendrore. Kam punuar në shumë kontinente rreth botës dhe në kontekste të ndryshme duke përfshirë vendet që kanë dalë nga konfliktet, në ndërtim të demokracive, ndërtim i tregut të lirë që nga fillimi dhe do të thosha se Kosova më impresionon jashtëzakonisht. Dhe atë për shumë arsye: nën një, ju keni vullnet politik të qeverisë suaj për të ndërtuar institucione të forta demokratike. Kam parë përkushtim dhe demonstrim të palëkundur për llogaridhënie, transparencë, që është në zemër të luftës kundër korrupsionit. Dhe siç e dimë, korrupsioni është një nga elementet më gërryese për të minuar një demokraci stabile.

KOHA: A po i referoheni kësaj Qeverie apo kjo është referencë në përgjithësi?

McKee: Në përgjithësi. Dhe çfarë shoh në Kosovë më jep shpresë të madhe. E shoh që po ndërmerren hapa të fortë për të luftuar korrupsionin, për t’i institucionalizuar elementet që janë kyçe në luftën kundër korrupsionit. Shoqëria civile, media e lirë dhe e pavarur, një gjyqësor i fortë, e po ashtu respektim të sundimit të Ligjit, që është i rëndësishëm jo vetëm për luftën kundër korrupsionit, por edhe për të tërhequr investimet dhe biznesin që është shumë i nevojshëm për të ardhmen e vendit.

KOHA: Pra Qeveria amerikane është tërësisht e përkushtuar në angazhimin e Qeverisë së Kosovës për ta shtyrë përpara procesin e vettingut në sistemin gjyqësor në Kosovë, në mënyrë që të kemi një shtet ligjor.

McKee: Nuk e di për specifikat siç e përshkruat ju, si procesi i Vettingut. Nuk e njoh këtë proces 100 për qind. Kam qenë në vendin tuaj vetëm një ditë e gjysmë. Po do të them se investimet që kemi bërë që prejse filluam partneritetin 23 vjet më parë për të ndërtuar institucionet që janë themel i sundimit të ligjit, që prej kornizës legjislative, te gjyqësori i lirë dhe i pavarur, për të siguruar qe integriteti dhe aftësia e prokurorëve dhe i gjithë spektrit të Sundimit të Ligjit, duke përfshirë edhe agjencive të tjera që kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit, u jep qytetarëve besim në respektimin e sundimit të shtetit ligjor këtu në vend.

KOHA: Dhe a do të na tregonit për planet tuaja në të ardhmen me sektorin privat. E dimë se keni qenë të përfshirë në këto dy dekada si USAID me sektorin privat. Çfarë mund të presin qytetarët e Kosovës nga ky bashkëpunim?

McKee: Do ta ktheja pyetjen mbrapsht dhe do të thosha se qytetarët e Kosovës nuk duhet të presin. Ne po e mbështesim shpirtin sipërmarrës dhe e kam parë këtë apetit të madh duke punuar në Inovacion dhe sektorë kyçë, siç janë bujqësia apo zdrukthëtaria dhe sigurisht me teknologjinë informative. E sigurisht mendoj që puna në terren që e kemi bërë më herët në krijimin e një ambienti që e mundëson lulëzimin e bizneseve po i jep frytet e veta tani dhe hapi tjetër kritik është bëjmë është rritja ekonomike gjithëpërfshirëse – në mënyrë që të gjithë e kanë mundësinë për të marrë pjesë dhe ta realizojnë një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme, përmes përmirësimit të standardit të jetesës së tyre. Pra, hapat e tjerë që do t’i ndërmarrim drejt rritjes ekonomike përfshijnë reformën në prokurim publik. Epo çka ka të bëjë kjo me rritjen ekonomike? Epo paratë e taksapaguesve dhe teksa bizneset lëvizin prej anës joformale tek ajo formale na duhet besim publik në atë se si po shpenzohen paratë e taksapaguesve. Sa më shumë të hyra që gjenerohen, aq më i shëndetshëm bëhet sektori privat dhe aq më shumë mund të qeverisë Qeveria ashtu që garanton se u përgjigjen nevojave të qytetarëve duke ndërtuar rrugë më të mira, duke u kujdesur për efiçiencën në energji, duke siguruar që të ketë drita vazhdimisht, për të garantuar furnizim me ujë të pastër e qasje në ujë. Të gjitha këto janë të rrënjosura në një ekonomi dinamike e prosperuese. Pra po punojmë drejt kësaj, për gjeneratat e ardhshme dhe jemi të përqendruar edhe në sektorin e prokurimit, ku sigurohemi që e kemi hapin tjetër. Por, siç e thashë e kemi nisur edhe një aktivitet të rritjes ekonomike përfshirëse që me të vërtetë fokusohet në pjesëmarrjen e grave në ekonomi. Dhe e dimë që kjo, kur kjo ka sukses do të çlirojmë një potencial edhe më të madh këtu.

KOHA: Në përgjithësi, cili është elementi që ju brengos sa i përket procesit të demokratizimit në Kosovë?

McKee: Një element që më brengos është nëse ka mbyllje të hapësirës për dialog, si në nivelin shtet me shtet ashtu edhe ndërmjet qytetarëve dhe qeverisë së tyre, si në nivel nacional ashtu edhe në nivelin nivelin lokal. Demokracia funksionon vetëm atëherë kur qytetarët marrin pjesë në procesin demokratik. S’është si pritje për ndihmë, por ka të bëjë me atë që qytetarët e kërkojnë se e dinë që është më e mira dhe atë për të cilën kanë nevojë. Për Qeverinë, i duhet t’i ketë resurset, pra buxhetin dhe platformën me të cilën i përgjigjet. Është e dyanshme. Demokracia s’është e lehtë. Edhe qeverisja e nivelit qendror, lokal e ndërmjetme dhe njerëzit duhet të punojnë në të. Për t’u siguruar që ky dialog bëhet, ky ndërveprim mes qytetarëve e qeverisjes, na duhet që ta mbajmë gjallë atë. Kjo më brengos, jo sepse po ndodh këtu, por po e shohim anembanë botës. Rrëshqitja prej demokracisë është diçka që duhet të pranohet se po ndodh dhe është pika ku duhet ta kemi vëmendjen.

KOHA: Nëse kthehemi aty ku e nisëm: me raportin Kosovë-SHBA, kemi kritikë e njerëz që e kanë ndjesinë se e kemi humbur vëmendjen dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Si do t’u përgjigjeshit këtyre zërave?

McKee: Do t’u thosha, absolutisht jo. Prania ime këtu është afirmim i asaj që partneriteti është i fortë dhe veçse do të forcohet. E pamë që si pasojë e ripushtimit të Ukrainës nga Putini, Evropa dhe Euro-Azia janë rikthyer në “radarin” e kongresit, presidentit tim, agjencisë sime. E me më shumë resurse për t’iu përgjigjur prioriteteve të qeverisë suaj dhe popullit tuaj, USAID-i po i zgjeron programet e tij. S’jemi duke shkuar gjëkundi. SHBA-ja ka qëndruar, do të qëndrojë dhe s’do ta lërë këtë partneritet, kurrsesi s’do të largohet prej këtij partneriteti.

KOHA: Si diplomate me përvojë, na duhet t’ju pyesim edhe për çështjet e përgjithshme të sigurisë. Sa të brengosura janë Shtetet e Bashkuara për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, në veçanti pas pushtimit të Ukrainës dhe agresionit që e nisi Rusia më 24 shkurt të këtij viti.

McKee: Ashtu si ju, përgjigjja për dialogun, mendoj që stabiliteti e siguria dhe garantimi i rrugës perëndimore të Kosovës, që kjo të marrë pjesë e të bëhet pjesë në institucionet evropiane dhe komunitetin e kombeve evropiane – aty ku e keni vendin është më i rëndësishëm se kurrë për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Ripushtimi i Putinit është paralajmërim i rëndësishëm. Alternativa ndaj demokracisë, ndaj lirisë, ndaj pavarësisë, ndaj zgjedhjes se me kë bën biznes dhe se ku e bën dhe alternativa ndaj sigurisë energjetike po paguhet me gjakun e ukrainasve tani kur po flasim. Nuk mund ta durojmë këtë.

KOHA: Si i shihni marrëdhëniet e Kosovës me BE-në? Kosova synon të bëhet anëtare, por gjithmonë i kemi ata që duhet të jenë prezentë gjithmonë në demokraci, kritikë të procesit të ngadalshëm të integrimit. Besoj që e dini se qytetarët e Kosovës janë të vetmit që nuk mund të udhëtojnë lirshëm brenda zonës së Schengenit. Andaj edhe kemi kritikë që përsërisin që nuk po shpërblehemi, pavarësisht se qeverisjet tona kanë qenë gjithmonë në një linjë me fuqitë perëndimore. Cila është përgjigjja juaj për këtë?

McKee: Përgjigjja ime lidhur me këtë është: të punojmë më fort. Të punojmë më fort në agjendën e reformave, të punojmë më shumë në dialog ashtu që Kosova ta ketë paqen e stabilitetin që meriton që potencialisht ta përshpejtojë rrugën për t’u bërë vend kandidat për BE e pastaj edhe integrim të plotë. Unë besoj e mendoj, që edhe ju besoni, se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe ne SHBA-ja jemi këtu për t’ju ndihmuar në këtë drejtim.

KOHA: Pyetja e fundit, si i shihni në kohë afatgjata marrëdhëniet Kosovë-SHBA? Në 10 vjetët e ardhshëm.

McKee: Në 10, 20 apo 100 vjetët e ardhshëm, SHBA-ja do të jetë partnere, mike e Kosovës, jo vetëm sot, siç thashë, por edhe për shumë gjenerata.