Kryeqyteti të shtunën ka nisur përgatitjet për festat e fundvitit. Për këtë synim, Komuna e Prishtinës ka vendosur që për më shumë se një muaj ta mbajë të mbyllur për qarkullimin e veturave rrugën nga Katedralja deri te “Grandi”. Përderisa disa qytetarë e mirëpritën këtë ndryshim, disa të tjerë shprehën pakënaqësi për kolonat e veturave që u krijuan në rrugët lidhëse. Në Komunë kanë thënë se mbyllja e rrugëve do të shërbejë edhe si fazë testuese për projektin e zgjerimit të sheshit
Me dhjetëra shtëpiza janë bartur të shtunën në kryeqytet me qëllim të përgatitjes së kryeqytetit për festat e fundvitit. Por, për dallim prej viteve të tjera, lokacioni i tyre është ndryshuar. Kanë zënë vend në mes të rrugës “Xhorxh Bush”.
Me qëllim të dekorimeve, Komuna e Prishtinës ka njoftuar ditë më parë se prej të shtunës e deri më 8 janar të vitit të ardhshëm, rrugët nga Katedralja deri në drejtimin e hotelit “Grand” do të jetë të mbyllur për qarkullimin e veturave.
Në ditën e parë të zbatimit të vendimit, mbyllja e rrugës ka shkaktuar trafik të ngjeshur përgjatë rrugëve lidhëse. E kjo ka nxitur pakënaqësinë e ngasësve.
Muhamet Ajvazi, teksa ka pritur në kolonë, ka thënë se ky bllokim i rrugës do ta pengojë qarkullimin e lirë.
“Kjo rrugë ka qenë gjithmonë që kemi qarkulluar pa probleme. Tash shohim tollovi. Sot ditë vikendi e jo më ditë pune kur të fillojë prej së hënës”, ka thënë Ajvazi.
Por ecjen në shëtitoren tashmë të zgjatur dhe me atmosferë festive e kanë mirëpritur këmbësorët.
Lendita Gashi ka thënë se ka shijuar këtë pjesë të rrugës për të lëvizur lirshëm.
“Po, po duket që është duke u përshtatur shumë vazhdimësia e sheshit. Është shumë ndjenjë e mirë me pasë më shumë hapësirë, ku njerëz kanë me qarkulluar në mënyrë më të lirshme dhe mos me u pengu prej veturave”, ka thënë Gashi.
E Ilire Imeri ka shprehur brengë për tollovinë që mund t’u shkaktohet veturave.
“Me të thënë të drejtën shumë mirë për ne shëtitoret, ama për komunikacion nuk e di. Pak e mundimshme”, ka thënë qytetarja tjetër, Imeri.
Por, pati edhe nga ata që patën mendim të kundërt dhe që shprehën ankesa në adresë të Komunës.
Hetem Salihu e ka quajtur këtë vendim të palogjikshëm.
“Shumë pa lidhje po më doket. Nuk pe di pse e kanë mbyllur bilës. Nuk e di qysh mundem ma e ba zgjidhjen kur aty si të kalon Pallatin e Rinisë e Rilindjen, aq bahet ngushtica, sa që shumë e palogjikshme po më duket”, ka thënë Salihu.
Në Komunën e Prishtinës kanë thënë se bllokimi i rrugës është bërë më herët me qëllim që të kryhen intervenimet e planifikuara para 12 dhjetorit, kur do t’i nisin aktivitetet festive.
Ilirik Musliu, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, ka konfirmuar se ky vendim do t’i shërbejë edhe projektit për zgjerimin e sheshit.
“Realisht edhe është një prej arsyeve ndoshta edhe pjesa e sheshit. Ju e dini, testimet të cilat i kemi bërë me unazën qendrore është blloku kjo pjesë. Realisht përveç kësaj pjese, është blloku edhe rruga ‘Garibaldi’, e tani është pak më ndryshe. Mirëpo gjithsesi po edhe kjo na jep realisht disa informata, disa të dhëna për projektin i cili është një projekt ma i madh dhe i së ardhmes”, ka thënë Musliu.
Në kuadër të dekorimeve për festa, drejtori i Shërbime Publike ka njoftuar se ndriçimet do të bëhen me drita efiçiente, siç është kërkuar nga Qeveria. E të shtunën, krahas dekorimeve për festa të fundvitit, kryeqyteti është dekoruar edhe për festën e 28 Nëntorit.