Arbëri

Mbyllja e parakohshme e aplikimit për subvencionim nxit dyshime për keqpërdorime

Pas mbylljes së thirrjes, tri ditë pas hapjes, qytetarët kanë ngritur dyshime për keqpërdorim tek kanë theksuar se aplikimi u është pamundësuar shkaku që auditorët kanë qenë të paarritshëm për t’i pajisur me raportet e nevojshme. E disa orë pas njoftimit për mbylljen e parakohshme të thirrjes, për shkakun e pranimit të 1.333 aplikimeve, në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë kanë bërë të ditur se e kanë hapur platformën edhe për 24 orët e ardhshme vetëm për ata qytetarë që i posedojnë raportet e auditimit

Njoftimi për mbyllje të parakohshme të thirrjes për subvencionimin e izolimit të shtëpive është përcjellë të premten me dhjetëra ankesa të qytetarët, të cilët nëpërmjet komenteve në ueb faqen e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) kanë shprehur pakënaqësi mbi për procedurat e aplikimit.

Teksa i kanë ngritur dyshimet për keqpërdorim, qytetarët kanë theksuar se aplikimi u është pamundësuar shkaku që auditorët kanë qenë të paarritshëm për t’i pajisur me raportet e nevojshme. 

“Auditorët shumicën i kanë lanë pa raport, sikur edhe mua në këtë rast, që s’lajmërohen në telefon edhe duke e shtyrë datën e ardhjes për matje”, ka shkuar një qytetar. 

Ankesa për çështjen e auditorëve kanë shprehur edhe qytetarë të tjerë. 

“Tmerr, brenda 15 orëve i keni mbyllë. Kanë aplikuar militantët e LVV-së, neve na kanë mbetur raportet në dorë, vetëm i kemi paguar kot”. “Nuk ka auditor që mundet me i përfundu detyrat që janë të caktuara nga ju. Limiti për auditor vetëm 20, kur telefonojmë auditorët thonë jemi të nxanun...”, kanë qenë disa komentet e shkruara nga qytetarët në ueb faqen e FKEE-së. 

Disa orë pas njoftimit për mbylljen e parakohshme të thirrjes, për shkakun e pranimit të 1.333 aplikimeve, në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë kanë bërë të ditur se kanë hapur platformën edhe për 24 orët e ardhshme vetëm për ata qytetarët që i posedojnë raportet e auditimit.

“Bordi i Drejtorëve të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ka aprovuar vendimin për hapje të platformës për aplikim, në 24 orët e ardhshme, për: Qytetarët që tashmë kanë raportet e auditimit dhe nuk kanë mundur të aplikojnë për shkak të mbylljes së parakohshme të thirrjes! Këto aplikime do të vendosen në listë të pritjes dhe do të shqyrtohen sipas parimit ‘aplikuesi i parë merr shërbimin i pari’, varësisht nga buxheti që do të mbetet në dispozicion. Pra, nuk garantohet trajtimi i të gjitha aplikimeve”, kanë thënë në FKEE. 

E ekonomisti, Mustafë Kadriaj, e ka kualifikuar mbylljen brenda tri ditësh të thirrjes që u pat paralajmëruar të zgjasë dy javë si tregues për mungesën e seriozitetit dhe të trajtimit të pabarabartë të qytetarëve.

“Një lajm i mirë dhe i mirëpritur nga ana e qytetarëve në fakt zgjati shumë shkurt dhe këtu po shihet se ka qenë parcial, jo gjithë përfshirës dhe gjithë ai trumbetim nga ana e Qeverisë që në emër të lehtësimit të jetës së qytetarëve dhe ngritjes së cilësisë së jetës po shihet që vetëm kishte qenë një farsë dhe në fakt krejt në suazën e kësaj atmosferës së para fushatës elektorale që nuk ka asgjë më shumë se thjeshtë një lloj fushate apo kur krijohet diçka me interes të jetës së qytetarëve”, ka thënë Kadriaj. 

Aplikimi për përfitim nga subvencioni për izolim të shtëpive u pati paralajmëruar se do të jetë i hapur deri më 10 shtator. Vitin e shkuar, nga ky subvencionim kanë përfituar më shumë se 2 mijë familje.
Projekti për subvencionimin është mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE), në kuadër të programit IPA.