Arbëri

Liderët e BE-së kërkojnë zbatimin e obligimeve nga Kosova dhe Serbia

Ndryshe nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, që një ditë më herët shprehu shqetësim për ngërçin në procesin e normalizimit të raporteve, pas debatit në Këshillin Evropian, Presidenti i këtij institucioni të BE-së, Charles Michel, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e kanë parë pozitivisht situatën. Të dy kanë folur për “pranimin e obligimeve për zbatim të marrëveshjeve nga dy liderët” ndërsa Scholz ka thënë se “në takime është arritur përparim”

Një lexim më pozitiv të takimeve që liderët e Kosovës dhe Serbisë patën në Bruksel me liderët evropianë, kanë pasur të premten në Bashkimin Evropian (BE) pas përfundimit të samitit.

Ndryshe nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, që një ditë më herët shprehu shqetësim për ngërçin në procesin e normalizimit të raporteve, pas debatit në Këshillin Evropian, Presidenti i këtij institucioni të BE-së, Charles Michel, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Sholz, e kanë parë pozitivisht situatën. Të dy kanë folur për “pranimin e obligimeve për zbatim të marrëveshjeve nga dy liderët” ndërsa Scholz ka thënë se “në takime është arritur përparim”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se me rëndësi është që liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë pranuar të zbatojnë obligimet nga marrëveshja dhe BE-ja do të vëzhgojë se si ato zbatohen. Sipas shefit të Këshillit Evropian do të ketë pasoja në rast se ato obligime nuk implementohen.

Ai ka thënë se “element i rëndësishëm” është Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, por jo edhe i vetmi element i rëndësishëm sepse ka edhe të tjerë. Micheli ka thënë se problem është edhe nënshkrimi i marrëveshjeve, pasi Serbia nuk e njeh Kosovën dhe përmend kufizime kushtetuese për të mos e nënshkruar.

“Elementi më i rëndësishëm, dhe kjo u bë e qartë nga liderë të ndryshëm sot në takimin e Këshillit Evropian, është fakti se të dy liderët në praninë e përfaqësuesve evropianë, bën shumë të qartë qëllimin e tyre për të implementuar këto marrëveshje. Ditët dhe javët në vijim do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme për të verifikuar nëse këto marrëveshje do të zbatohen dhe do të jetë në përgjegjësinë e BE-së të vlerësojë se cilat janë pasojat. Cilat janë pasojat në rast se zbatohen dhe cilat në rast se nuk zbatohen”, ka thënë presidenti i Këshillit Evropian.

Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka thënë se në takim është dënuar sulmi në Banjskë dhe është kërkuar nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq që ta dënojë këtë sulm dhe të ndërmarrë masa të duhura.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, po ashtu ka pasur një lexim pozitiv të takimeve dhe nuk është pajtuar me vërejtjen e gazetarëve se takimet ishin dështim.

“Ne kemi bërë lëvizje në këtë situatë të zymtë dhe nuk e ndajmë vlerësimin tuaj”, është përgjigjur Scholz, duke thënë se në vlerësimin politik është një lëvizje pozitive.

“Tash kemi deklarime nga Kurti dhe nga Vuçiqi se ata do të ndërmarrin vendime të cilat janë pjesë e dokumenteve të ndryshme në të cilat kemi punuar, Marrëveshjen bazike, atë të Ohrit dhe tash konceptin dhe draftin konkret për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo është thënë qartë dhe kjo është me rëndësi. Tash do të shohim se si kjo do të zbatohet”, ka thënë Olaf Scholz në Bruksel, pas samitit të BE-së.

Macroni ka thënë po ashtu se nga të dyja palët është kërkuar zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të Ohrit, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.

Diskutimi në nivel të shefave të shteteve apo qeverive të BE-së u zhvilluan një ditë pas takimeve që disa liderë evropianë patën në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në ato takime nuk u arrit pajtim mes palëve për një propozim të BE-së.

Kryeministri Kurti tha se ai i ka pranuar të gjitha propozimet dhe ka kërkuar nënshkrimin e tyre, por, sipas tij, këtë e ka refuzuar Serbia.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë ndërkaq se kushtëzimet që kanë bërë palët, e që ishin të papranueshme për palën tjetër, kanë penguar arritjen e pajtimit.

Në këtë samit janë miratuar edhe konkluzat kushtuar raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Liderët e 27 vendeve të BE-së kanë shprehur shqetësim të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, bëjnë ftesë që kryesit e sulmeve në Banjskë të përgjigjen para drejtësisë, por edhe që Kosova e Serbia pa vonesa dhe pa kushte të përmbushin obligimet e tyre nga procesi i dialogut.

“Këshilli Evropian është thellësisht i shqetësuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Fuqishëm dënon sulmet e dhunshme ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023. Bashkimi Evropian pret që kryesit të kapen dhe nxirren shpejt para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm”, thuhet në tekstin e konkluzave.

“Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përpjekje të qëndrueshëm për deeskalim, në veçanti zhvillimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës sa më parë që të jetë e mundshme, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës. Dështimi në deeskalim do të ketë pasoja”, thuhet në këtë tekst.

Këshilli Evropian ka shprehur edhe keqardhje për mungesën e implementimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksin e implementimit, si dhe të marrëveshjeve të tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, nën udhëheqjen e përfaqësuesit të lartë e me ndihmën e të dërguarit të posaçëm. Përgjegjës për mosimplementim ka bërë të dyja palët.

“Ftojmë Kosovën dhe Serbinë t’i implementojnë ato, pa vonesa dhe parakushte. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”, thuhet në konkluzat e Këshillit Evropian.

“Normalizimi i raporteve është një kusht thelbësor për rrugëtimin Evropian të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë që të humbin rastin e rëndësishëm në mungesë të progresit”, thuhet në fund të pjesës së konkluzave kushtuar raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë debatit të liderëve të BE-së për Kosovën dhe Serbinë është përsëritur nevoja nga ana e disa liderëve që të ketë një qasje të balancuar ndaj palëve.

Ndërkaq presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e pyetur nga KOHA në konferencë për shtyp se si u përgjigjet kritikave se Komisioni Evropian nuk ka qasje të balancuar, pasi ka në fuqi masa ndaj Kosovës, por jo ndaj Serbisë ka thënë: “Do të jem shumë e shkurtër në përgjigje: Hetimet janë në vazhdim e sipër dhe kemi thënë disa herë se kur të përmbyllen hetimet ne do të vendosim për të ndërmarrë masa dhe çfarë lloj masash”.

Presidentja e Komisionit Evropian javën që vjen do të vizitojë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën.