Arbëri

Mbyllet qendra për COVID-19 në Pejë

Pas rënies së vazhdueshme ditëve të fundit të numrit të infektuarve me COVID-19 në komunën e Pejës, të hënën është mbyllur qendra shtesë për trajtimin e kësaj sëmundje, në të cilën gjithë pacientët e Pejës të infektuar me koronavirus merrnin terapi parenterale.

“Duke u bazuar në numrin e vogël të pacientëve që marrin terapi në qendrën Covid njoftoj se mbyllet qendra Covid, duke u bazuar në gjendjen aktuale të qetë që po mbretëron në komunën tonë”, ka njoftuar për KOHËN drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci.

Pacientët që kanë nevojë për aplikim të terapisë për COVID-19, sipas tij, do t’u ofrohet ky shërbim përmes ekipit mobil në shtëpitë e tyre.

“Aktualisht kemi vetëm pesë pacientë që janë duke marrë këtë terapi. Për këtë numër të vogël të pacientëve më mirë ekipet mobile shkojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe ua japin terapinë, sesa me mbajt gjithë atë staf mjekësor në atë qendër, e cila mbetet e mbyllur deri në një vendim tjetër”, tregoi Loci arsyen e mbylljes se kësaj qendre, në të cilën për disa javë, kur u rrit së fundmi masivisht numri i të infektuarve, merrnin terapinë mbi 200 pacientë brenda ditës.

Loci tregoi se ekipet mjekësore të angazhuara në këtë qendër, janë punonjës të qendrave tjera të mjekësisë familjare, si dhe staf i përkohshëm i angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ekipet mjekësore që kanë punuar në qendrën e Covidit do të kthehen në qendrat ku kanë punuar, kurse staf i përkohshëm do të shpërndahet në qendra mjekësore ku ka nevojë”, deklaroi Loci për KOHËN.

Kjo qendër e sistemuar në aneksin e Qendrës së Mjekësisë Familjare numër 5 në lagjen Fidanishte ishte hapur vitin e kaluar për t’ia lehtësuar punën Spitalit të Përgjithshëm të Pejës gjatë pandemisë.

Qendra ishte mbyllur edhe një herë, në fillim të muajit qershor, pasi kishte rënë numri i pacientëve me COVID-19 që kishin nevojë për terapi parenterale. Por pas rritjes masive të numrit të rasteve, që nisi në muajin gusht, nga fundi i këtij muaji kjo qendër ishte hapur serish.

“Edhe pse është mbyllur tash, ajo do të hapet serish nëse ka nevojë, në rast të përkeqësimit të mundshëm të situatës me pandemi në këtë komunë. Ky aneks në QMF-5 nuk do të përdoret për asnjë shërbim tjetër dhe mbetet si qendër për Covid deri sa të shpallet e përfunduar pandemia”, shtoi Loci.

Aktualisht në Pejë janë 232 raste aktive me COVID-19 dhe që nga fillimi i pandemisë në këtë komunë jetën e kanë humbur nga kjo sëmundje 174 persona.