Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të mërkurën ka bërë të ditur se autoritetet kanë ndërmarrë veprime për mbylljen e një kompanie paralele të Serbisë që vepronte në komunën e Shtërpcës.
Kompania “Novo Javno Preduzeće”, e cila ofronte shërbime të ujësjellësit dhe menaxhimit të mbeturinave, është ndërprerë nga operimi pas kërkesës së Njësisë së Mbikëqyrjes së Ndërmarrjeve Publike dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Rizvanolli deklaroi se institucionet paralele që veprojnë nën direktiva të Beogradit nuk kanë vend në territorin e Kosovës.
“Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.
Ajo shtoi se Ministria e Ekonomisë do të vazhdojë të punojë për sundimin e ligjit dhe shërbimin e barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.
Ministrja falënderoi Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe u bëri thirrje organeve të hetuesisë që të nisin hetime të menjëhershme rreth dëmeve dhe përfitimeve të mundshme të shkaktuara nga kjo kompani e jashtëligjshme.
Për mbylljen ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.
“Policia e Kosovës, pas kërkesës së pranuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe në koordinim me institucionet përkatëse, ka asistuar sot në inspektimin dhe mbylljen e një institucioni paralel të Serbisë i cili ka operuar në komunën e Shtërpcës, saktësisht të kompanisë së ujësjellësit dhe mbeturinave e cila ka funksionuar nën juridiksionin e Serbisë. Policia e Kosovës me njësitë relevante policore dhe në koordinim me autoritetet përkatëse, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në raport me aktivitetin e jashtëligjshëm të kësaj ndërmarrje. Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet e saj, me qëllim të garantimit të sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe respektimit të kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Policia nëpërmjet një postimi në Facebook.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se asnjë institucion paralel i Serbisë s’ka vend në Kosovë.
“Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë”, ka shkruar ai në Facebook, derisa ka shpërndarë njoftimin e ministres Rizvanolli.