E mërkura ka qenë dita e fundit e punës për çerdhen private “Cambridge Kids”, që ndodhet në dalje të Prishtinës.
Pas vizitave të Policisë së Kosovës e Inspektoratit të Ministrisë së Arsimit, ky institucion privat parashkollor është mbyllur.
Drejtori i Inspektoratit në MASHTI, Dëfrim Gashi, ka thënë se që nga e enjtja kjo çerdhe duhet të mbyllet derisa të pajiset me leje, në të kundërtën thotë ai, do ta iniciojnë lëndën në gjykatë.
Gashi thotë se ky institucion as nuk ka aplikuar ndonjëherë për leje të tillë.
I gjithë reagimi shtetëror erdhi pas publikimit të një videoje nga një nënë, ku shihet fëmija i saj duke u keqtrajtuar nga edukatorja T.G, e cila bashkë me edukatoren tjetër R.M gjatë ditës së mërkurë janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Babai i fëmijës ishte ai që kishte denoncuar rastin.
Gori pretendon se kjo nuk është hera e parë që është keqtrajtuar fëmija i tij nga edukatoret në këtë kopsht, pasi thotë se ka vërejtur ndryshime tek ai.
Andaj Gori ka kërkuar qasje në kamerat e sigurisë.
Video të ndryshme, të cilat kanë qarkulluar nëpër rrjete sociale, kanë revoltuar shumë prindër të cilët kanë filluar ta nënshkruajnë një peticion për mbylljen e këtij kopshti.
Përderisa në një komunikatë, MASHTI thotë se ka përcjellë me shqetësim lajmet për keqtrajtimin e fëmijës, duke kërkuar nga qytetarët bashkëpunim nga të gjithë në identifikimin e institucioneve private që ushtrojnë veprimtarinë pa licencë pune, në mënyrë që fëmijët të jenë të sigurt dhe të trajtohen sa më mirë.
Edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një statusi në rrjetin social, Facebook, ka thënë se licencimin e monitorimin e çerdheve private e kanë kërkuar shumë herë si kompetencë nga niveli qendror, por që nuk kanë marrë përgjigje pozitive.
Ndonëse kanë premtuar që do të kthejnë një përgjigje në lidhje me rastin, zyrtarë të këtij kopshti nuk janë përgjigjur në telefonatat e televizionit.