Mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe garantimi i standardeve mjedisore janë kushte për eksportimin e mallrave të kompanive nga Kosova në drejtim të Gjermanisë. Zgjerimi i zbatimit të Ligjit gjerman për zinxhirin e furnizimit, që përfshin kompanitë gjermane me mbi 1 mijë punëtorë, pritet të prekë edhe kompanitë kosovare. Mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe garantimi i standardeve mjedisore janë kushte për eksportimin e mallrave të kompanive nga Kosova në drejtim të Gjermanisë.
Kompanitë kosovare që eksportojnë mallrat e tyre drejt Gjermanisë do të jenë nën llupën e shtetit gjerman. Mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe standardet mjedisore janë kushtet që kërkohen të plotësohen me Ligjin gjerman për zinxhirin e furnizimit, jo vetëm për kompanitë gjermane, por edhe për kompanitë nga Kosova.
Nora Hasani, kryetare e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare ka thënë se kompanitë kosovare duhet të jenë të kujdesshme që të plotësojnë kërkesat që vijnë nga kompanitë blerëse gjermane.
“Të gjithë të punësuarit në kompanitë kosovare që janë eksportuese dhe që punojnë në tregun gjerman duhet të kenë brenda kompanisë të instaluara sisteme që e bëjnë monitorimin e të drejtave të punëtorëve, duhet t’i kenë punëtorët e regjistruar me kontrata të rregullta, duhet që patjetër të analizojnë edhe dëmin në ambient që mund të shkaktojë dhe kjo varet nga sektorët”, ka thënë ajo.
Ligji për Zinxhirin e Furnizimit u miratua në 2021, por që faza e parë kishte hyrë në fuqi në janar të 2023, e që prekte vetëm kompanitë që kanë mbi 3000 punonjës. Por, nga janari i këtij viti ligji përfshin edhe kompanitë me minimumin 1 mijë punëtorë e që janë rreth 2 mijë sosh në Gjermani.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se tashmë kompanive iu është imponuar respektimi i Ligjit të Punës edhe për faktin e mungesës së fuqisë punëtore.
“Do të ishte mirë që Gjermania të mos merrej me këto çështje, por ne të merremi me ato, megjithatë ne e shohim si një ligj shumë të mirë, sepse në momentin që vërejmë që një kompani që eksporton mall jashtë nuk i respekton rregullat ose Ligjin e Punës, atëherë ne edhe do të kërkojmë nga kompanitë gjermane që mallrat e tyre mos t’i eksportojnë jashtë Kosovës”, ka theksuar Azemi.
Ai ka thënë se Kosova këtë viti pritet të përballet me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, shkaku i ikjes së punëtorëve drejt vendeve evropiane. Shpreson që respektimi i të drejtave të punëtorëve, plotësimi i kushteve dhe rritja e pagave do të ndikonte sado pak që të mos ketë ikje të madhe të tyre.
E kompanitë që nuk respektojë të drejtat e punëtorëve nuk do të kenë mundësi të eksportojnë në Gjermani, por do të jenë edhe shkas për gjobitjen e kompanive gjermane.
“Ligji parasheh që nëse kompanitë gjermane vazhdojnë të punojnë me furnitorë që nuk i plotësojnë kriteret e parapara në ligj për furnitorë, atëherë ato mund të gjobiten. Gjobat janë shumë të larta, gjoba maksimale është 2 për qind e qarkullimit vjetor të kompanisë gjermane”, ka theksuar ajo.
Kosova vitin e kaluar ka eksportuar mallra në vlerë mbi 85 milionë euro në drejtim të Gjermanisë.