Nga rreth 14 mijë persona të cilët që nga fillimi i pandemisë janë infektuar nga COVID-19, mbi 800 prej tyre janë fëmijë dhe adoleshentë.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, nga 0 deri në 9 vjet, 334 fëmijë janë infektuar.
Ndërsa, grupmoshat më të atakuara te fëmijët janë nga 10 deri 19 vjet, ku numri i atyre që janë infektuar ka shkuar në 489, raporton KOHA.
Prishtina, e cila prin për nga numri i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë, ka pasur 144 fëmijë të infektuar, të cilët u përkasin grupmoshave 0 deri në 14 vjet.
Por, deri më tani në Kosovë është vetëm një foshnjë, e cila ka vdekur nga koronavirusi.
Foshnja 8-muajshe, e cila ka vdekur tri javë më parë nga COVID-19 kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Në Klinikën e Pediatrisë deri tash rreth 40 fëmijë të infektuar kanë marrë trajtim spitalor, derisa sipas drejtoreshës një foshnjë 2-muajshe konsiderohet si foshnja më e re e infektuar nga COVID-19.
E në repartin, i cili që nga muaji korrik është ndarë për trajtimin e fëmijëve me COVID-19, momentalisht po trajtohet vetëm një fëmijë, i cili është në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërsa, këtë të mërkurë janë testuar edhe 8 fëmijë të tjerë si të dyshuar me COVID-19.
Temperaturë, vjellje, diarre dhe pneumoni janë simptomat kryesore që shfaqen te fëmijët e prekur, simptoma të ngjashme si tek infeksionet e tjera, e që sipas drejtoreshës së Klinikës së Pediatrisë, Drita Qosaj-Telakut krijojnë vështirësi në diagnostikim.
Telaku ka thënë se ditëve të fundit kanë shtim të numrit të fëmijëve që janë të sëmurë e që kanë nevojë për trajtim spitalor.
Megjithatë, ajo ka shtuar se fëmijët janë njësojë të rrezikuar nga COVID-19 sikurse të rriturit, si dhe mund ta bartin atë njëjtë si të rriturit.