Buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës është tkurrur mbi 70 milionë euro dhe këto mjete financiare do të përdoren për mbulimin e atyre shpenzimeve që krijohen në këtë periudhë të pandemisë.
Me tkurrjen e buxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës janë dëmtuar edhe projektet në secilën komunë të cilat ishin parashikuar që të impelemntoheshin mirëpo tani në mungesë të mjeteve financiare nuk do të realizohen.
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, gjatë vizitës në Gjilan ka deklaruar se pavarësisht shkurtimeve buxhetore kjo nuk do të ndikojë tek projektet të cilat janë duke implementuar.
“Në këtë kohë pandemie buxheti i Ministrisë është shkurtuar dukshëm, janë mbi 70 milionë euro që janë marrë për masat anti-covid duke ruajtur dinamikën e punëve Gjilanin do të trajtojmë në prioritetin më të lartë. Kemi diskutuar me Ministrinë e Financave dhe realisht kemi kërkuar që të mos preket asnjë euro por ka qenë pandemia dhe situata ka qenë e jashtëzakonshme ajo që na ka shtyrë që të veprojmë ashtu. Janë prek të gjitha projektet në formë lineare diku 30 deri 35 për qind të secilit projekt në Kosovë është prek”, ka thënë ai.
Kurse kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka përmendur projektet zhvillimore të komunës në infrastrukturë ku hisedar është edhe Ministria e Infrastrukturës.
“Vizita e tij sot na nderon në kujdesin që ka treguar për programet zhvillimore të Komunës. Lajmi i mirë është se po vazhdojnë punimet në autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, në tetë lotet e para. Projektet e madha kapitale e regjionale që po realizohen dhe që do të fillojnë janë, rruga Prishtinë-Gjilan nga tuneli e deri në Bresalc (7.2 kilometra), rruga Gjilan-Kllokot që janë investime nga BERZH, Rruga e Kumanovës, Bulevardi “Ibrahim Rugova”, rruga në drejtim të Bujanocit, rruga “Enver Miftari” etj. Ministria e Infrastrukturës është partneri më i madh i yni”, ka thënë Haziri.