Arbëri

Mbi 70 mijë qytetarë deri më tani kanë aplikuar për vaksinim

Mbi 70 mijë qytetarë të Kosovës deri më tani kanë aplikuar në platformën online E-Kosova për tu vaksinuar.

Ministria e Shëndetësisë përmes një përgjigje për KOHËN ka bërë të ditur se aktualisht janë 70 mijë termine të rezervuara dhe rreth 22 mijë termine të caktuara për dhënie të vaksinës.

“Këto të dhëna po ndryshojnë shpejt, sepse sot sistemi i E-Kosova është hapur edhe për disa kategori të tjera që mund të caktojnë termine, përfshirë edhe gazetarët. Sigurisht që është rritur interesimi dhe kjo shihet edhe nga numri në rritje i vaksinave që jepen brenda një ditë ne qendrat e vaksinimit ne Kosovë” është thënë në përgjigjen e MSH-së.

Sipas MSH-së, interesimi më i madh i qytetarëve për t’u vaksinuar i takojnë grup moshave 65 vjeçe.

“Ka grup mosha të ndryshme, por dominuese ka qenë mosha mbi 65 vjeç që deri tash ka qenë në proces të vaksinimit, por ka edhe të moshave më të reja nga kategoria e sëmundjeve kronike, profesionet mjekësore, policia, FSK, mësimdhënësit, etj”, ka bërë të ditur MSH-ja.

Ministria e Shëndetësisë ka shtuar se planifikon që brenda një ditë numri i qytetarëve të vaksinuar të shkojë deri në 15-17 mijë qytetarë.

“Ky numër do të shkojë gjithnjë duke u rritur deri të arrihen planifikimet sipas Planit të Veprimit për vaksinimin e qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19. Pardje kishte mbi 7 mijë të vaksinuar, dje mbi 8500 dhe gradualisht numri vjen duke u rritur, me që edhe stoku me vaksina është i qëndrueshëm”, është thënë në përgjigjen e MSH-së.

Vetëm brenda 24 orëve të fundit në Kosovë janë vaksinuar 8 mijë e 517 qytetarë. Ndërsa që nga fillimi i pandemisë në Kosovë janë administruar 189.006 doza.

Kosova më 29 dhe 28 qershor ka pranuar afër 200 mijë doza të vaksinës.

Më 28 qershor Kosova përmes buxhetit ka blerë 81 mijë e 900 doza të vaksinave Pfizer dhe më 29 qershor arriti kontingjenti i dytë nga kjo kontratë me 106 mijë e 470 doza të tjera.