Më shumë se shtatëmijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin që kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të miratojnë ligjin që ua mundëson qytetarëve tërheqjen deri në 30 për qind të mjeteve të Trustit Pensional, kanë thënë nga grupi i qytetarëve organizatorë.
Javën e shkuar, Kuvendi rrëzoi iniciativën e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu. Ai paralajmëroi se iniciativa do të kthehet në Kuvend me peticion të qytetarëve. Të hënën, grupi i qytetarëve “Pro tërheqjes 30 për qind të Trustit” nisi mbledhjen e nënshkrimeve. I duhen 10 mijë për ta çuar në Kuvend peticionin. Kanë thënë se presin që deri të premten ta kryejnë këtë.
Njëri nga organizatorët, Afrim Berisha, ka thënë për “Ekonomia Online”, ka thënë se mjetet duhet të tërhiqen pasi kjo do të ishte një ndihmesë e madhe për ta. Ai ka shtuar se interesimi i qytetarëve për të nënshkruar është i madh dhe se për mbledhjen e këtyre nënshkrimeve janë në disa komuna të Kosovës, teksa shtoi se janë të bindur se ky numër do të tejkalohet.
“Nënshkrimi i peticionit për Trustin është duke shkuar në rregull. Njerëzit janë shumë të interesuar. Jemi duke punuar qe tri ditë prej orës 11:00 deri në pra 22:00 në mbrëmje. Janë nëpër pika të Kosovës, Lipjan, Prizren, Fushë-Kosovë, dhe sipas informatave afro 7000-8000 janë që kanë nënshkruar. Po presim deri të premten dhe të shikojmë interesimin e qytetarëve”, ka thënë ai.
Projektligji, që sipas iniciuesve kishte qëllimin për t’u ndihmuar qytetarëve në kohë krize ekonomike, u rrëzua në Kuvend me 57 vota kundër të deputetëve të pushtetit. 44 deputetë votuan pro e një abstenoi.