Arbëri

Mbi 600 ankesa të qytetarëve në IPK për 6 muaj

Veprat penale kishin rënë në përgjithësi gjatë muajve të pandemisë.

Megjithatë, në Inspektoratin Policor të Kosovës qytetarët kanë raportuar pretendimet e tyre kundër zyrtarëve policorë, në masë përafërsisht të njëjtë me një vit më herët.

Në vitin 2019, IPK-ja kishte trajtuar mbi 1400 ankesa.

“Vitin e kaluar janë trajtuar mbi 1400 ankesa, 65 % janë kthyer prapa, meqë nuk kemi pasur të bënim me elemente të veprës penale. Janë kthyer në PK. Pjesa tjetër ka mbetur në IPK për trajtim”, ka thënë Arbër Beka, zëdhënës i IPK-së për emisionin Raport në KTV.

Në muajin e gjashtë të këtij viti gati është arritur gjysma e numrit të rasteve të raportuara nga viti i kaluar.

“Në këtë periudhë, IPK ka trajtuar mbi 600 ankesa të qytetarëve. Një pjesë e tyre janë kthyer në Drejtorinë për Hetim të Brendshëm dhe verifikim të së kaluarës, në Policinë e Kosovës, pasi nuk ka pasur elemente të veprës penale. Derisa 265 prej tyre janë bartur në Departamentin e Hetimeve të IPK-së, me dyshimin që kemi të bëjmë me elemente të veprës penale dhe janë duke u hetuar”, thotë zëdhënësi Beka.

Beka thekson të kenë bashkëpunim të mirë me Prokurorinë e Shtetit, por më e rëndësishmja mbetet bashkëpunimi me qytetarët.

“IPK ka 94 punonjës, që janë të angazhuar 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Duhet t’i falënderohemi qytetarët që nuk heziton të raportojë. Për këtë, kemi pas shumë aktivitetet...si linja e kaltër ..08000 33 33”.