Arbëri

Mbi 60 të akuzuar nga Specialja, aktakuza e parë pas 17 shkurtit

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka gjetur prova për të akuzuar mbi 60 ish-drejtues dhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aktakuzat nuk kanë të bëjnë vetëm me krime lufte, por edhe vepra tjera të kryera deri në fund të vitit 2000. Insajderi ka mësuar se Azem Syla, Shukri Buja, Sokol Dobruna janë në mesin e të akuzuarve të parë.

Mbi 60 ish-drejtues dhe ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të akuzohen nga Zyra e Prokurorit të specializuar në Hagë, ka mësuar Insajderi.

Aktakuza e parë pritet të shpallet menjëherë pas shënimit të dhjetë-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ish-komandanti i UÇK-së, Azem Syla është njëri nga të parët që pritet të akuzohet dhe ekstradohet në Hagë. Mes drejtuesve të lartë të UÇK-së, të akuzuar do të jenë edhe Shukri Buja, Sokol Dobruna dhe Daut Haradinaj.

Nën hetime për krime të rënda janë edhe presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli. Thaçi, për rolin e tij si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, derisa Veseli për rolin e tij si shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

Thaçi e Veseli nuk pritet të akuzohen në valën e parë.