Therja ilegale e kafshëve apo mosraportimi i tyre ka dëmtuar buxhetin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës në vlerë mbi 380 mijë euro. Në një raport të Auditorit që ka siguruar KOHA thuhet se rreth 66 për qind e kafshëve të importuara për therje nuk kanë përfunduar në thertore siç parasheh legjislacioni në fuqi
Mbi 380 mijë euro llogaritet të jetë dëmtuar buxheti i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për dy vjet nga mosraportimi i therjeve apo edhe nga therjet ilegale të kafshëve.
Ani se me legjislacionin në fuqi AUV-i realizon të hyra nga 5 euro për çdo therje, sipas një raporti të Auditorit të Brendshëm në këtë institucion që e ka siguruar KOHA përmes qasjes në dokumente, është konstatuar dëm financiar i buxhetit nga mungesa e këtyre të hyrave.
“Për periudhën janar – shtator 2023 është raportuar se janë importuar gjithsej 70, 178 kafshë për therje, ndërsa janë therur në mënyrë të ligjshme vetëm 23,612 krerë që do të thotë 66 për qind nuk kanë përfunduar në thertore siç e parasheh legjislacioni në fuqi. Diferenca në mes të 9 muajve të parë të vitit 2023 dhe komplet vitit paraprak 2022 për shmangie të therjeve të ligjshme të kafshëve është rritur për 17 për qind”, thuhet në raport.
Dallim në import dhe therje pati edhe vitin e kaluar. Sipas Auditorit, nga 61 mijë kafshë për therje të importuara, vetëm 31 mijë figurojnë të jenë therur.
Inspektorati veterinar gjatë periudhës janar-korrik 2023 ka deponuar 59 raste në Gjykatë për kundërvajtje ndaj importuesve, të cilët nuk i kanë dërguar kafshët në thertore sipas deklarimeve të tyre në pikat kufitare.
Raporti i Auditorit konstaton, po ashtu, se AUV-i që nga shkurti i këtij viti ka humbur kontrollin e importit të kafshëve.
“Më 28 shkurt 2023 është nxjerrë një vendim për zbatimin e ligjit për sistemimin e lejeve dhe të licencave, përkatësisht është ndërprerë lëshimi i lejeve për importin e kafshëve të gjalla. Pas këtij vendimi AUV-i nuk lëshon leje apo licenca për importin e kafshëve të gjalla. Duke qenë se AUV-i nuk ka krijuar paraprakisht asnjë mekanizëm ligjor përmes të cilit e administron/kontrollon importin e kafshëve, që nga muaji shkurt i vitit aktual e ka humbur komplet kontrollin e importit të kafshëve”, thuhet në raport.
E nga menaxhmenti i AUV-it në një përgjigje në gjetjet e Auditorit kanë thënë se Inspektorati veterinar në të gjitha rastet ka kryer të gjitha procedurat konform legjislacionit në fuqi.
“Vlen të ceket se përveç inspektimeve të kryera dhe inicimit të procedurave ligjore në gjykata kompetente për shkeljet ligjore, ne si inspektorat kemi njoftuar edhe Administratën Tatimore, e cila është përgjegjëse për inkasimin e taksave”, thuhet në përgjigje.
Në historinë e AUV-it nuk është raportuar të ketë pasur sukses ndonjë rast i deponuar ndaj importueseve të papërgjegjshëm. Gjykata ka vlerësuar se legjislacioni i aplikueshëm në këto raste është i mangët dhe se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore për të sanksionuar kundërvajtësit.
Në raport të Auditorit të Brendshëm jepen vërejtje edhe sa i përket therjes së kafshëve. Sipas tij, Udhëzimi Administrativ nr.18/2005 i nxjerrë në korrik të vitit 2005, i cili është i aplikueshëm edhe në vitin 2023 pa ndonjë ndryshim, përcaktohet që kafshët duhet të theren brenda 24 orëve pas importit.
Por gjatë vizitave që janë bërë në kufi është konstatuar se kafshët importohen edhe nga distanca të largëta dhe se shkaku i kësaj shumë nga to janë në gjendje të rënduar psiko-fizke që ndikon negativisht edhe në cilësinë e mishit.
Auditori rekomandon që duhet të ndërhyhet në mënyrë urgjente duke përcaktuar me akte nënligjore masa konkrete dhe efektive për të mbajtur përgjegjës importuesit e papërgjegjshëm.
“Me shmangien e therjeve në mënyrë të ligjshme, përveç dëmit direkt dhe jodirekt financiar është duke u rrezikuar edhe shëndeti publik”, thuhet, ndër të tjera, në Raport.