Rreth 14 për qind më shumë udhëtarë janë shërbyer në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” gjatë vitit 2023 sesa në vitin 2022.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka njoftuar se gjithsej 3,424,883 udhëtarë janë shërbyer përgjatë vitit të kaluar në këtë aeroport, sipas statistikave të mbledhura nga operatori LKIA.
“Ky numër udhëtarësh është 14% më i lartë se numri i udhëtarëve që janë shërbyer në këtë aeroport në vitin 2022 (2,994,560)”, thuhet në njoftim.
Siç është bërë e ditur nga AACK-ja, muaji gusht ka pasur numrin më të lartë, duke u pasuar nga muaji korrik, ndërsa më së paku udhëtarë janë shënuar gjatë muajit shkurt dhe mars.
“Muaji gusht ka pasur numrin më të lartë me gjithsej 411,162 udhëtarë, që pasohet nga muaji korrik me 396,700 udhëtarë, ndërsa trafiku më i ulët ka qenë gjatë muajit shkurt me 193,116 udhëtarë, pasuar nga muaji mars me 221,760 udhëtarë”, është thënë më tej në njoftim.
Gjatë vitit 2023 janë realizuar 11,639 nisje fluturimesh, apo 7 për qind më shumë se vitin e kaluar, ndërsa destinacionet me më së shumti udhëtarë ishin Bazeli, Cyrihu dhe Duseldorfi.
“U dalluan me më së shumti fluturime muajt gusht dhe korrik, me 1,389 dhe 1,365 nisje fluturimesh. Në anën tjetër, muaji shkurt kishte më së paku nisje fluturimesh, 619. Prej destinacioneve, me më së shumti udhëtarë dallohen Bazeli, Cyrihu dhe Dyseldorfi. Prej shteteve, sa i përket trafikut të përgjithshëm nga Prishtina, Zvicra është e para e pasuar nga Gjermania, Turqia, Austria dhe Britania e madhe. Prej kompanive ajrore, prin Wizzair me numrin më të madh të udhëtarëve të shërbyer nga Prishtina, e pasuar nga GP Aviation, Easyjet, Eurowings, Trade Air, Chair Airlines, e kështu me radhë”, thuhet në njoftim.