Arbëri

Mbi 212.000 gjoba të shqiptuara në trafik gjatë 2024-s në rajonin e Prishtinës

Policia e Kosoves gjoba kontroll

Foto: Driton Paçarada

Basri Shabani, drejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, ka njoftuar se gjatë 2024-s janë shqiptuar rreth 212.000 gjoba në trafik, e rreth 15 për qind më tepër se në vitin 2023.

Ai ka thënë se shqiptimi i gjobave mund të ketë ndikuar si masë në uljen e aksidenteve, derisa ka theksuar se ka rënie të konfiskimit të patentë-shoferëve për shkak të ngasjes në gjendje të dehur.

“Në 2023-n janë shqiptuar rreth 185.000 tiketa apo gjoba, e në 2024-n janë shqiptuar rreth 212.000 tiketa apo 15 për qind më tepër. Kjo konsideroj se mund të ketë ndikuar si masë...Shkeljet janë të ndryshme, kemi rënie të konfiskimit të patentë-shoferëve sa i përket personave nën ndikimin e alkoolit. S’kemi shumë vozitës në ndikim të alkoolit, pasi shpejtësia është faktori kryesor i aksidenteve”, ka thënë Shabani të hënën në “60 Minuta” të KTV-së.

Duke folur për statistikat, Shabani ka thënë se gjatë 2024-s ka pasur luftim të madh të kriminalitetit. Ai përmendi konfiskimin e 658 armëve apo rreth 44 për qind më tepër se vitin e kaluar.

“Kemi shtim të armëve të konfiskuara, e kjo falë bashkëpunimit me qytetarët që janë mjaft bashkëpunues. Statistikat tregojnë se ka numër të konsiderueshëm të armëve te qytetarëve. S’kemi statistika të sakta, por shtimi i aktiviteteve të zyrtarëve policorë e bashkëpunimi me qytetarë ka bërë që të kemi shtim të konfiskimit të armëve. Sivjet janë 658 armë të konfiskuara apo 44 për qind më tepër se në vitin e kaluar. Ka pasur edhe konfiskim të armatimit, janë konfiskuar sasi të mëdha në ahengje familjare, e kjo falë bashkëpunimit me qytetarë”, ka deklaruar drejtori i Policisë për rajonin e Prishtinës.

Ai ka shtuar se është luftuar edhe qarkullimi i lëndëve narkotike nëpër shkolla.

“Drejtoria rajonale ka marrë masa parandaluese, e në kuadër të kësaj ka mbajtur ligjërata në shkolla. Sasia e drogës në shkolla është e vogël, por është shqetësuese. Kemi rritur prezencën e zyrtarëve policorë në shkolla dhe përreth shkollave. Kemi mbajtur ligjërata në mbi 400 shkolla e me mbi 25.000 nxënës”, u shpreh tutje ai.

Për natën e ndërrimit të vitit, Shabani ka shtuar se do të ketë numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë në terren.