Arbëri

Mbi 200 kërkesa për akreditim në pritje për shqyrtim në Këshillin shtetëror të cilësisë

Mbi 200 kërkesa për akreditim ose riakreditim të programeve studimore dhe afro 30 kërkesa për akreditim ose riakreditim institucional të universiteteve publike e kolegjeve private janë duke pritur për shqyrtim në Këshillin shtetëror të cilësisë.

Për këtë arsye, ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami i ka kërkuar Bordit të Agjencisë së Akreditimit, sqarime se si do të veprojnë me këto kërkesa duke e ditur situatën e krijuar me Covid-19.

Përmes një letre të cilën e ka siguruar “Koha”, Bajrami ndër të tjera ka kërkuar nga Këshilli ta informojë MASHTI-n lidhur me qasjen dhe masat që i planifikojnë lidhur me disa aspekte të punës.

“Kërkojmë nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë dhe Agjencia e Akreditimit të na e sqarojnë strategjinë dhe qasjen e AKA-së lidhur me vlerësimin e kërkesave si në vijim: akreditimin institucional për institucionet të cilave u skadon akreditimi këtë vit dhe riakreditimin e programeve ekzistuese, për akreditimin e programeve të reja, vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë, të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet e akreditimit gjatë vlerësimit në vitin akademik 2018-2019. Në veçanti është me interes strategjia e AKA-së gjithnjë në suaza të autorizimeve ligjore, për shqyrtimin e akreditimit të institucioneve publike dhe private që nuk janë akredituar gjatë vitit 2019”, thuhet në letren e Hykmete Bajramit.

Kryetari i Bordit, Gazmend Luboteni, përmes një përgjigje me shkrim ka theksuar se në mbledhjen e rregullt të KSHC-së të muajit prill do të diskutohet procesi i vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të tyre.

Sipas tij, Agjencia e Akreditimit po kontakton me agjencitë ENQA dhe EQAR, për të gjetur një model të përshtatshëm të vlerësimit në këtë kohë të emergjencës shëndetësore.

“Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim do të gjejë modele të përshtatshme të vlerësimit, edhe pse jemi të kufizuar me pamundësinë për të sjellë ekspertët ndërkombëtarë në Kosovë. Muajin e fundit, edhe pse me vështirësi të mëdha për shkak të pandemisë, KShC/AKA kanë bërë punë të jashtëzakonshme, siç janë miratimi i listës së ekspertëve ndërkombëtarë, shqyrtimi i aplikacioneve të institucioneve të arsimit të lartë dhe kryerja e shumë punëve të tjera që janë obligim i yni ligjor”, ka thënë Gazmend Luboteni, kryetar i KSHC-së.

Mbledhja e radhës e Këshillit do të mbahet të premten. Sipas agjendës që e ka siguruar “Koha”, mbledhja do t’i ketë 10 pika. Në këtë mbledhje pritet të shqyrtohen kërkesat e disa institucioneve të arsimit të lartë për akreditim.

Tri javë më parë, anëtarët e Bordit të Agjencisë së Akreditimit, Dukagjin Zeka, Rozafa Koliqi e Arta Jakupi kanë bërë kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit, Gazmend Luboteni, nënkryetares Vjollca Krasniqi e ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë, Avni Gashi.

Këtë veprim e kanë ndërmarrë me pretendimin se të 3 e kishin zvarritur zgjedhjen ekspertëve ndërkombëtarë, duke shkaktuar bllokim të procesit të akreditimit. Një gjë e tillë ishte mohuar nga Luboteni e Krasniqi.

Tri ditë pas kallëzimit penal, këshilli e miratoi listën me ekspertë ndërkombëtarë.