Arbëri

Mbi 2 milionë udhëtime në Aeroportin e Prishtinës gjatë 2021-tës

Viti 2021 përfundoi me sukses edhe për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Kjo pasi gjatë këtij viti numri i udhëtimeve në linja ajrore ishte rritur për dallim nga viti 2020.

Deri në fund të muajit dhjetor, numri i udhëtarëve ka shkuar në 2.1 milionë, derisa në vitin 2022 pritet që ky numër të rritet deri në 2.5 milionë udhëtime.

Zëdhënësja e ANP-së, Valentina Gara, ka thënë për KOHËN se numri më i madh i udhëtimeve të regjistruara gjatë 2021-s vjen nga Zvicra dhe pasohet nga Gjermania.

“Për shkak të pandemisë, është një nivel i kënaqshëm i udhëtarëve dhe fluturimeve që nuk është pritur nga ne dhe aeroportet tjera të rajonit. Çdo vit shkon duke u shtuar numri i udhëtarëve, në vitin tjetër në rast se nuk do të ketë kufizime dhe masa të reja apo ndonjë variant të ri të virusit që do të parandalonte fluturimet ne presim të arrijmë një shifër diku rreth 2.5 milionë udhëtarë, një përqindje më e lartë nga ajo me të cilën presim ta përmbyllim këtë vit, e që është 2.1 milionë”, ka thënë Gara. “Të gjitha statistikat i mbledhim brenda ditës, ndërsa një përmbledhje të këtyre statistikave e bëjmë në fund të muajit dhe pas këtyre ditëve do të dalim me një përqindje. Zakonisht paraprin Zvicra, më pas udhëtime më së shumti ka nga Gjermania e vendet e tjera”, ka thënë Gara.