Kanceri, sëmundje kjo e dyta nga e cila vdesin më së shumti njerëz në botë, nga viti në vit po merr hov të madh në Kosovë.
1 mijë e 586 persona janë diagnostikuar me lloje të ndryshme të kancerit vetëm gjatë vitit 2019-të, shifër kjo për 3 për qind më e lartë sesa viti 2018, raporton KTV.
Kjo sëmundje, që është në rritje nga viti në vit, sipas onkologëve të QKUK-së, megjithatë është më e ulëta në rajon.
Të dhënat janë prezantuar në kuadër të raportit të punës njëvjeçare në ditën botërore të kancerit.
Ilir Kurtishi, drejtor në Institutin e Onkologjisë, tha se dominon kanceri i gjirit e pastaj ai i mushkërive.
Ai ka shtuar se gjatë vitit të kaluar janë përballur me sfida të shumta, megjithatë, sipas tij, ato nuk kanë ndikuar që të ofrohen shërbime të mira dhe të shumta për pacientët e prekur nga lloje të ndryshme të tumoreve.
Sipas mjekëve dhe të mbijetuarve të kancerit, trajtimi i hershëm mund ta parandalojë vdekjen.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vizituar Shoqatën e pacientëve me kancer të gjirit “Renesansa” në Prizren, ku ka thënë se duhet të ngrihet vetëdija e institucioneve karshi kësaj sëmundjeje.
Sidoqoftë, Instituti i Onkologjisë synon që gjatë këtij viti të rrisë numrin e stafit, të zgjerojë hapësirat e këtij reparti me qëllim të rritjes së cilësisë së shërbimeve për të sëmurët me kancer.