Vetëm gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, në total janë regjistruar mbi 15 mijë e 400 aksidente në komunikacion. Prej tyre 63 ishin me fatalitet, ku humbën jetën 68 persona. Gjithashtu, kanë ndodhur edhe 5 mijë e 500 aksidente me lëndime me 10 mijë e 500 persona të lënduar.
Edhe pse Policia e Kosovës nuk ka dërguar statistika për vetaksidentet, nga ekspertët e komunikacionit ato po vlerësohen shqetësuese. Ata madje kërkojnë të hetohet arsyeja e këtyre aksidenteve.
Eksperti i komunikacionit, Muhamed Krasniqi ka thënë për KosovaPress, se shqetësuese janë vetaksidentet për të cilat thekson se duhet të hulumtohet lokacioni ku ndodhin shpesh vetaksidentet, gjendja e ngasësit por edhe gjendja teknike e automjetit.
“Secili aksident pa marrë parasysh se çfarë kategorie të aksidentit kemi, është shqetësues, mirëpo veçmas kohëve të fundit janë shqetësuese aksidentet e tipit të vetaksidente... Mendoj që duhet të bëhet hetim i thellë për shkaktarët e kontribuuesit të këtyre aksidenteve nëse është problemi te lokacioni dhe përsëriten, duhet të shikohet se si të evitohet dhe përmirësohet me kuptimin teknik ai lokacion, pastaj duhet të hetohet gjendja e vet ngasësit të automjeteve, i cili ka pësuar në këto vet aksidente për të parë se çka ka ndikuar tek ai i cili ka shkaktuar këtë aksident dhe në anën tjetër edhe gjendja teknike e mjetit në të cilin është shkaktuar ky aksident,” ka thënë Krasniqi. “Disiplina, respektimi i shenjave, rregullave të trafikut, përgjegjësia, në momentin që je në rrugë, çoftë si ngasës, si këmbësorë apo thjesht udhëtar apo ngasës i biçikletës, trotinetit, e tjera, të gjithë duhet të marrin pjesë edhe të respektojnë kodin rrugorë të sjelljes dhe janë edhe ata të sigurt por edhe i sigurojnë pjesëmarrësit tjerë në trafik,” ka shtuar ai.
Ndërsa, Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim ka theksuar se kanë shtuar prezencën e saj policore në akse të ndryshme rrugore me njësinë e motoçiklistëve, njësinë mobile me pajisje inteligjente “Smart Patrol”, veturat civile të pajisura me radarë mobil, përdorimin e dronëve në identifikimin e kundërvajtjeve të ndryshme, si dhe ndërmarrjen e masave sensibilizuese dhe atyre ndëshkuese.
“Angazhimet policore, përveç tjerash, kanë përfshirë shtimin e prezencës së zyrtarëve policorë në akse të ndryshme rrugore me njësinë e motoçiklistëve, njësinë mobile me pajisje inteligjente “SMART PATROL”, veturat civile të pajisura me radarë mobilë, përdorimin e dronëve në identifikimin e kundërvajtjeve të ndryshme e njësi tjera policore, si dhe ndërmarrjen e masave sensibilizuese dhe atyre ndëshkuese,” ka thënë PK në një përgjigje me shkrim.
Nëse krahasojmë periudhën janar-gusht të këtij viti dhe të vitit të kaluar, në statistikat që ka dërguar PK-ja, këtë vit, për këtë periudhë ka më pa aksidente, megjithatë diferenca është shumë e vogël./KSP