Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e shkarkoi nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, me arsyetimin se nuk e ka menaxhuar mirë problemin me mbeturina në kryeqytet. Lirimi nga detyra e drejtorit nga radhët e PDK-së i shpërfaq problemet në koalicionin qeverisës të Prishtinës. Në një reagim për shkarkimin, nënkryetarja e Komunës, Donjeta Sahatçiu, tha se vendimi i Ramës nuk lidhet me mbeturinat, porse me kundërshtimet e bëra nga PDK-ja për rastin e këmbimit të pronave
Kriza disamujore midis dy partive që e përbëjnë koalicionin qeverisës në Prishtinë kulmoi të premten, kur kryetari i Komunës, Përparim Rama, që është nga radhët e LDK-së, e shkarkoi nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, nga PDK-ja.
Në njoftimin për shkarkimin e Musliut, Rama bëri të ditur se vendimin e mori shkaku i dështimit të tij në menaxhimin e situatës me mbeturina.
“Të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale alarmante në kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave. Si kryetar i kryeqytetit tash e një vit kam kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate alarmante dhe të papranueshme. Por, përkundër të gjitha këtyre kërkesave, gjendja jo që nuk është përmirësuar por, përkundrazi, është përkeqësuar. Andaj, sot kam marrë vendim për të liruar nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike”, thuhet në njoftimin e Ramës.
Lidhur me shkarkimin KOHA provoi të kontaktonte me Musliun, porse ai nuk ishte i qasshëm.
E në një reagim publik nënkryetarja e Komunës, Donjeta Sahatçiu, e akuzoi kryetarin Rama për hakmarrje shkaku i deklarimeve të zyrtarëve të PDK-së kundër këmbimit të pronës komunale me atë private në Badoc, për të cilin raportoi KOHA. Sahatçiu tregoi edhe për një presion që Rama i bëri asaj.
“Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e u.d. drejtore e Arsimit nuk pata pranuar të nënshkruaja deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit, me specifika e planifikim buxheti skandaloz. Njëjtë Përparim Rama, si zyrtar kryesor administrativ, ka mundur të jepte urdhër për çfarëdo procesi që paska mundur të rregullonte menaxhimin e mbeturinave pa njohurinë dhe përfshirjen e Ilirikut. Pse nuk e ka bërë, e di ai vetë”, ka shkruar Sahatçiu.
Kriza mes partnerëve të koalicionit është shpërfaqur prej muajsh, qëkur drejtorë të PDK-së e ata të LDK-së nuk morën pjesë në aktivitete të njëra-tjetrës.
Qeverisja e ndarë e dy subjekteve mori hov në dhjetor, kur asamblistë të PDK-së e nisën bojkotimin e seancave.
Këtë nëpërmjet një postimi në Facebook e pati konfirmuar asokohe shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri. Ai, në një konferencë shtypi të mërkurën, shprehu mospajtim me partnerin e koalicionit mbi çështjen e vendimit për këmbimin e pronave.
E i pyetur nëse koalicioni është në rrezik, Retkoceri nuk pati dhënë përgjigje të prerë në konferencë.
KOHA raportoi në vazhdimësi për krizën në koalicionin e arritur mes kryetarit Përparim Rama dhe kryetarit të Degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili. Asnjëri prej tyre të premten nuk ishte i qasshëm për të komentuar çështjen.