Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, ka thënë për RTK-në se minatorët e bllokuar kanë nisur të dalin përmes daljeve alternative.
“Minatori i parë, sipas informacioneve të mia, ka arritur me dalë, po shpresojmë edhe janë duke dalë edhe grupet e tjera”, ka thënë Januzi.
Ai ka bërë me dije se me minatorët ekziston komunikimi përmes linjës telefonike me tela induktiv dhe se gjendja e tyre është stabile.
“Për gjendjen e tyre për momentin është stabile, nuk ka ndonjë shqetësim”, ka deklaruar Januzi, duke shtuar se një minator raportohet të ketë problem me këmbën, gjë që mund t’ia vështirësojë daljen në këmbë.
Januzi ka thënë se, sipas informatave nga vendi i ngjarjes dhe komunikimit me menaxhmentin, linja që furnizon minierën nuk duket të ketë defekte të mëdha dhe mund të riparohet në një kohë më të shkurtër. Ai ka theksuar se defektet në pjesën e flotacionit nuk paraqesin pengesë për nxjerrjen e minatorëve, pasi nuk lidhen me liftin që përdoret për transportimin e tyre nga miniera.
Kryetari i Sindikatës ka kritikuar mungesën e investimeve dhe gjendjen e vjetërsuar të pajisjeve, duke thënë se raste të tilla janë përsëritur edhe më parë.
“Fatkeqësisht, mungesa e investimeve dhe trafostacionet e stërvjetëruara po bëjnë që shpesh të mbesin të mbyllur”, ka thënë Januzi.
Sipas tij, mungesa e një alternative tjetër për furnizim me energji po bën që minatorët të mbesin të ngujuar për orë të tëra, duke e cilësuar këtë situatë si rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre.
Rizvanolli thotë se po organizohet dalja graduale e minatorëve të ngujuar
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se po organizohet dalja graduale e minatorëve që mbetën të ngujuar mbrëmjen e të mërkurës.
Ajo ka thënë se sipas informatave nga menaxhmenti i Trepçës, minatorët që ndodhen brenda minierës pas defektit në pajisjet elektrike janë në gjendje të mirë.
“Ekipet teknike po punojnë për sanimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me energji. Ndërkohë, po organizohet dalja graduale e minatorëve përmes daljes emergjente. Menaxhmenti është në vendngjarje, ku kanë qenë edhe policia dhe zjarrfikësit”, ka shkruar ajo.
Minatorët janë pjesë e ndërrimit të dytë, i cili përfundon në orën 23:00.
63 minatorë të Trepçës kanë mbetur të ngujuar të mërkurën mbrëma.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të një defekti me energjinë elektrike. Siç ka thënë ai, ata janë punëtorët e ndërrimit të dytë.
Januzi ka shtuar tutje se minatorët kanë mbetur të ngujuar në Tunelin e Parë.
“Për shkak të një defekti me energjinë elektrike, rreth 60-63 minatorë të ndërrimit të dytë kanë mbetur të ngujuar”, i tha KOHËS shkurt ai, duke shtuar se po punohet për nxjerrjen e tyre.