Arbëri

MB-ja detyrohet të paguajë rinovimin e katit, për të cilin s’pati kontratë shfrytëzimi

Rreth 16 mijë euro do t’i paguajë Ministria e Bujqësisë për rinovimin e katit, për të cilin nuk pati kontratë shfrytëzimi.

Gjykata Komerciale muajin e kaluar hodhi poshtë një pikë të kërkesës së Ministrisë për prapësim të urdhrit përmbarimor, duke lënë në fuqi pjesën e pagesës për punët që kompania “Sinani Ing” i bëri në renovimin e katit në ndërtesën “Ramiz Sadiku”.

KOHA ka raportuar se si Ministria e Bujqësisë në mënyrë të kundërligjshme, në nëntor të 2020-s lidhi kontratë për rinovim të katit të pestë, ani se për të nuk pati kontratë shfrytëzimi.

Ministrisë i ka mjaftuar një marrëveshje gojore me kompaninë “A2 Group”, që ka në pronësi ndërtesën, se do t’i lejohet shfrytëzimi për periudhë 1-vjeçare pa kosto financiare nëse e rinovon katin.

Rinovimi kushtoi afro 16 mijë euro, por hapësira nuk u shfrytëzua më pas nga Ministria.

Ani se kompania “Sinani Ing” i përfundoi punët, Ministria nuk e kreu pagesën, duke përfunduar te përmbaruesi. Edhe pas përmbarimit, Ministria nuk kreu pagesën e plotë, duke kërkuar prapësimin e urdhrit përmbarimor në Gjykatën Komerciale.

“Gjykata pas shqyrtimit të shkresave të lëndës gjeti se urdhri përmbarimor P.nr.111/2021 i datës 30.6.2021 duhet të anulohet pjesërisht për borxhin e kërkuar nga kreditori sipas faturës nr.008/21 të datës 23.02.2021, ngase debitori ka përmbushur pjesërisht detyrimin në shumën prej 15,857.10 €, duke mbetur borxh prej 15,656.75 €, të cilin fakt e ka konfirmuar edhe kreditori me parashtresën për precizimin e borxhit, si dhe debitori në prapësimin e paraqitur kundër urdhrit të lartcekur, i cili ka theksuar se debitori u është përgjigjur pretendimeve të kreditorit duke paguar prej 15,857.10 €, dhe ka mbetur borxh në shumën prej 15,656.75 €”, thuhet në vendimin e gjykatës.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga Ministria nëse është zbatuar ky vendim apo do të ketë ankesa ndaj vendimit të Komerciales, por gjatë së martës nuk ka marrë përgjigje.

E nga kompania kanë thënë se ende nuk është bërë pagesa për punët që janë kryer.

Kontrata për rinovim ishte nënshkruar nga ish-ushtruesi i detyrës së sekretarit, Bekim Hoxha, i cili tani është zëvendësues i kryeshefit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës. Rinovimi nisi me kërkesë të Fllanza Balaj-Kurtishajt, drejtoreshë e Departamentit për financa dhe administratë të përgjithshme.

Kontrata mes Ministrisë së Bujqësisë dhe kompanisë “Sinani Ing” është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale.

Ministria e Bujqësisë paguan 28 mijë euro në muaj kompaninë private “A2 Grup” për shfrytëzimin e objektit. Po aq paguan edhe për hapësirat që shfrytëzon Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë.