Arbëri

Mazreku: Pjesëtarët e UÇK-së më kërkuan t’ua jepja 30 mijë markat e fshatit

Ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Mazreku dhe Nuredin Ibishi, kanë përfunduar dëshminë e tyre në Speciale. Mazreku ka thënë para Gjykatës se llogaritej si bashkëpunëtor nga pjesëtarët e UÇK-së dhe se ia kërkuan paratë që fshati i kishte për emergjenca

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Mazreku, të enjten, e ka përmbyllur dëshminë e tij në rastin më të madh të Gjykatës Speciale në Hagë, ku po gjykohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm: Hasim Thaçi, Kadri Veselil, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Ai i ka thënë Gjykatës Speciale se në Opterushë ai formoi grupin e tij me shqiptarë të armatosur para sulmit ndaj familjes Jashari në mars të vitit 1998. Qëllimi, sipas tij, ishte të mbroheshin edhe serbët e fshatit. Por, sipas tij, me mbrojtjen e serbëve nuk pajtoheshin pjesëtarët e UÇK-së që e kishin komandën në Drenoc, e të cilët, siç ka thënë, përhapën fjalë se ai është bashkëpunëtor i Serbisë.

Ai ka thënë se një nga momentet serioze me pjesëtarët e UÇK-së ishte kur refuzoi t’ua jepte atyre paratë e fshatit që ai po i mbante. Ka thënë se është kërcënuar dhe se aty ishte prezent edhe Ilaz Kadolli. Sipas tij, bëhej fjalë për paratë e Opterushës që ishin mbledhur për emergjenca në kohë lufte. 

“Ishin në pyetje diku 30.000 marka që i kërkonte UÇK-ja e unë thosha se ato janë para të fshatit, janë për të blerë ushqim, veshmbathje, me kanë nevoja edhe armatim, por për fshat tonin, jo për të tjerët. Ejup Kabashi këmbënguli që unë t’ua jap ato para atyre, e unë atyre nuk ua dhashë, sepse i thashë këto m’i kanë dhënë mua dhe unë kam përgjegjësi për ato. Erdhën e më morën, më çuan atje, ‘paret me na i pru’. Më tha ‘24 orë i ke ose paret, ose e din ti çka të gjenë’. Aty ishte kërcënimi. I thashë që mos e prit 24-orëshin, më ekzekuto se nuk t’i sjell. ‘Ti ja je i drejtë shumë, ja je shumë budallë’”, ka dëshmuar ai. 

Mazreku ka thënë se paratë që erdhën nga diaspora nuk ua dha pjesëtarëve të UÇK-së, por ua shpërndau bashkëfshatarëve. 

Dëshmitari ka thënë, po ashtu, se ka pasur edhe një moment tjetër tensioni me ish-pjesëtarët e UÇK-së kur po shkonte me familjarë në një dasmë pas luftës. 

“Bile, një rast e kemi pasur me Xhemë Gashin e Ejup Kabashin, ka qenë Din Spahiu, ka qenë edhe një kerr tjetër po ata s’i kam vërejtur edhe po ia bëjnë ky është Haxhia. E çeli xhamin e mu drejtu: ‘ti je Haxhia a?’. I thashë po, unë jam. Tha unë kom punë me ty. I thash’ s’ka problem, e kishim njëfarë si dasmë, veç po i çoj këta anëtarët në dasmë dhe po kthehem. Shkova vetë. I thashë: çka ke punë me mua, ti? Kur m’pa ashtu m’tha veç kam pasë qejf me t’njoftë, kush është ky Haxhi Mazreku. Në rregull, ec tha edhe jam kthyer”, është shprehur ai. 

Dëshmitari Mazreku gjatë dëshmisë së tij bëri një krahasim mes përgjegjësisë së luftëtarit për t’i mbrojtur civilët dhe përgjegjësisë së bariut për t’i ruajtur delet e tij. 

“Dallimi mes neve (luftëtarëve v.j.) dhe çobanit është pushka dhe shtaga. Çobani e ka shtagën për me i ruajt bagëtitë, kurse ne e kemi pasë armën për me i mbrojt civilët. Këtu ka qenë ai dallimi që çobani i keq i ka çu dhentë kah gropat e ujkut e unë nuk kam lanë me i çu kah gropat e ujkut. Kjo është e papranueshme për mua. Atëherë unë jam quajt i padëshirueshëm për ata, tradhtar për ata ose bashkëpunëtor për ata”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka konfirmuar se pasi u bë i padëshiruar në fshat iku për në Shqipëri, për t’iu bashkëngjitur më pas luftës në Koshare. 

Gjatë së enjtes ka vazhduar me dëshminë edhe Nuredin Ibishi, ish-komandant i “Brigadës 123” në Zonën e Llapit. Gjatë dëshmisë ndodhi një ndërprerje e pazakontë. 

Gjyqtari Guenael Mettraux e pyeti Ibishin se a ka shkuar dëshmitari në Kroaci me njërin prej personave që ka qenë i ndaluar në Zonën Operative të Llapit.

“Po Hetem Jasharin e ke njohur? A keni pasur ndonjë kontakt para, gjatë ose pas luftës me këtë person? Pra, cilido sugjerim që keni shkuar me të në Kroaci do të ishte e pavërtetë”, pyeti anëtari i trupit gjykues. 

Ibishi shprehu habi me gjykatën dhe tha se nuk është e vërtetë kjo. 

“Jo. S’pe di kush është”, është përgjigjur ai. 

Gjyqtari Guenael Mettraux ia parashtroi pyetjen përsëri. Për këtë pyetje paraqiti vërejtje avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon. 

“Të jemi të drejtë me dëshmitarin, t’i japim pamjen e plotë situatës. Po t’i bënte Prokuroria këto pyetje do t’i kisha kundërshtuar, por të jemi të drejtë”, ka thënë avokati Dixon. Më pas në faqen e transmetimit të Gjykatës u paraqit përshkrimi “përmbajtje e redaktuar”.

Ibishi ka thënë se informatat për bashkëpunëtorët e Serbisë i merrnin nga popullata civile. Sipas tij, personat që dyshoheshin si bashkëpunëtorë ndaloheshin e më pas liroheshin pas një kohe. 

“Identifikimi ka shkuar përmes qytetarëve dhe mbrojtjes civile normalisht duke e njoftuar brigadën që ishte prezente në atë rajon, raportoheshin nëpërmjet Policisë Ushtarake në atë zonë dhe dërgoheshin në mbajtje. Ata njoftoheshin për arsyen e mbajtjes dhe kur përfundonte, liroheshin”, ka thënë Ibishi.

Më pas ai është pyetur edhe lidhur me rregulloret e Shtabit të Përgjithshëm. 

Ibishi ka konfirmuar disa dokumente që iu shfaqën e që kishin të bënin për amnistinë e disa personave të ndaluar, ku shkruhej se lirimi i tyre në vitin 1999 bëhej me vendim të komandantit të Zonës, Rrustem Mustafa, dhe në përputhje me memorandumet politike të Shtabit të Përgjithshëm.

Në këtë rast, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

ZPS-ja pretendon se ata kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte. Ndaj tyre janë ngritur edhe katër akuza për krime kundër njerëzimit. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. 

Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e mbanin komandantët e zonave dhe se qëllimi ishte të luftohej Serbia e jo civilët.