Që nga paslufta, banorët e një pjese të lagjes Matiqan të kryeqytetit, po përballen me mungesë të ujit të pijshëm.
Kjo gjendje po i detyron ata të furnizohen me ujë nga puset, të cilin nuk mund ta përdorin për pije, raporton KTV.
Por thonë se edhe ata, gjatë muajve të verës, s’po kanë ujë të mjaftueshëm.
Banorët e kësaj pjese, ani pse e kanë afër rezervuarin e ujit, thonë se në rastet e rralla kur kanë ujë, shtypja është tejet e ulët.
Thonë se ankesat e tyre nuk i kanë marrë parasysh asnjëherë në Kompaninë e Ujësjellësit Prishtina, derisa duan zgjidhje sa më të shpejtë.
Për gjendjen e tillë, në KRU “Prishtina” janë të njoftuar, derisa fajin për mungesë të ujit, ua lënë keqpërdoruesve të tij.
“KRU ‘Prishtina’ është duke punuar me kapacitete maksimale nga 3 fabrika trajtuese të ujit: Batllava, Badoci dhe Shkabaj përmes Ujmanit. Qe 1 muaj, pavarësisht se jemi me kapacitete maksimale, disa pika të larta po kanë mungesë të ujit herë pas here. Kjo ndërlidhet me apelin tonë që e bëjmë me qindra herë që uji i pijshëm nuk është ujë që duhet keqpërdorur , ashtu siç po ndodh tash. Pra, arsyeja e mosmarrjes së ujit nga pikat e larta është pikërisht keqpërdorimi i tij. Ky problem do të jetë si i tillë edhe maksimumi 2 muaj, derisa të ndalen ujitjet e kopshteve, bahçeve e arave”, ka thënë Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KRU “Prishtina-s”.
Disa banorë i kanë thënë KTV-së se një pjesë e tyre nuk janë të kyçur në ujësjellës, ani pse patën bërë disa herë kërkesë për kyçje.