Besfort Shala, 22-vjeçar nga Prishtina, ka arritur t’i përfundojë me suksesin më të lartë studimet e magjistraturës në matematikë në Universitetin e Oxfordit, një nga universitetet më të forta të botës. I riu ka thënë se ka ndier përgjegjësi për t’i kryer studimet ndaj të gjithë atyre që vitin e kaluar e ndihmuan financiarisht për t’ia mundësuar studimet. Ai tash ka synim që nivelin e matematikës në Kosovë, bashkë me të tjerët, ta ngrejë në nivel më të lartë.
“Ju njoftoj se kam përfunduar studimet e magjistraturës në matematikë në University of Oxford me notën më të lartë, përkatësisht klasifikimin Distinction. Shfrytëzoj rastin edhe një herë të ju falënderohem të gjithëve për mbështetjen dhe mundësimin e këtij rrugëtimi!”, ka shkruar ai në një postim në Facebook të enjten.
Ndërkaq, në një intervistë të shkurtër për KOHA.net, Shala ka treguar se si ndihet tash për suksesin e arritur.
“Rrjedhshmëria e natyrshme e studimeve e bën që përfundimin e tyre me sukses të mos e shoh si diçka të veçantë, por shpeshherë duhet të kalojë ca kohë në mënyrë që të vlerësosh diçka mirëfilli. Megjithatë, ndiej nder dhe përgjegjësi që në temën e diplomës kam punuar nën udhëheqjen e profesor James Maynard, i cili së fundi fitoi ‘Fields Medal’, që konsiderohet si ekuivalenti i çmimit Nobel për matematikë. Përtej formaliteteve, është një përvojë e veçantë të punosh me matematikanë të tillë dhe të mësosh nga ata për qasjen ndaj matematikës, mënyrën e të menduarit dhe punës, si dhe për avancimet e këtij shekulli në matematikë”, ka thënë fillimisht ai.
Shala ka komentuar edhe ndihmën që i ishte dhënë një vit më herët për t’i realizuar studimet. Fondi prej 30 mijë eurosh ishte mbledhur nga njerëz të vullnetit të mirë. Një pjesë e pati ndihmuar edhe Ministria e Arsimit. Ai ka thënë se ndihma e dhënë ishte arsyeja pse ai bëri të ditur lajmin e përfundimit të magjistraturës.
“Pikërisht kjo është arsyeja e shpërndarjes së lajmit, pasi kam ndier përgjegjësi ndaj të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë të cilët më kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë në arritjen e këtij synimi. Pjesa më sfiduese e fillimit të studimeve në Oxford ka qenë mbledhja e fondeve të mjaftueshme, përkatësisht mbi 30 mijë euro vetëm për shpenzimet e shkollimit. Nuk ka qenë e lehtë që të vendosim me familjen të kërkojmë ndihmë, aq më tepër kur ka njerëz me arsye tejet më të forta për t’i ndihmuar. Unë kam qenë më hezituesi që kjo të ndodhë, por pas shtyrjes nga familja, si dhe nga profesorë të ndryshëm nga fakulteti ku kam qenë duke përfunduar studimet bazike, kemi ardhur në përfundim se mundësia e studimit në Oxford nuk duhet të humbet. Që nga ky vendim, kemi qenë me shpresë, por njëkohësisht me pritshmëri të ulëta. Një gjë e mirë ka qenë kohëzgjatja 1-vjeçare e programit të magjistraturës, që e ka lehtësuar paksa procesin”, ka deklaruar ai për KOHËN.
Shala ka thënë se matematika ka qenë gjithmonë lënda e tij e preferuar. Dalja në vend të parë në nivel kombëtar për klasat e 11-a, në Olimpiadën Matematike të Kosovës, siç thotë ai, ka qenë një moment kyç që mund të ketë qenë bindës për të se matematika duhet të jetë drejtimi i tij jetësor.
“Pa dashur ta eliminoj rolin e aftësisë e talentit në matematikë, unë i shoh kuriozitetin dhe pasionin si shumë më të rëndësishëm në arritjen e suksesit. Në matematikë, e sidomos në matematikën jashtë garave, jo çdo herë kanë sukses ata që janë më të aftë e më të shpejtë, por ata që janë këmbëngulës e të vendosur në zgjidhjen e një problemi si pasojë e pasionit të tyre. Në këtë kuptim, unë e shoh veten më shumë si tejet i vendosur në matematikë, sesa që pretendoj ndonjë aftësi mbi mesataren”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se triumfi në një garë për bursë të plotë për të studiuar matematikë, të organizuar nga Universiteti i Primorskës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, bëri që të vendoste për t’i vijuar studimet në matematikë. Shkollën e mesme Shala e ka përfunduar në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë.
Shala do t’i fillojë studimet e doktoratës në matematikë në Universitetin e Bristolit në Angli. Ka thënë se aty do të punësohet si asistent e se do të qëndrojë për katër vjet.
“Në afatgjatë, synimi im është që të bëhem hulumtues në matematikë në ndonjë universitet në botë, gjithmonë pa harruar dhe duke kontribuuar për Kosovën me aq sa mundem”, ka thënë ai.
Shala e ka quajtur modest kontributin e tij për Kosovën. Ka thënë se këtë e bën përmes punës vullnetare në kuadër të Shoqatës së Matematikanëve, në organizimin e trajnimeve dhe garave më të rëndësishme të matematikës në Kosovë.
“Ky kontribut pa dyshim do të vazhdojë, si dhe do të rritet edhe më tutje. Synimi është që bashkërisht të punojmë që Kosova të jetë në matematikë shumë më mirë e më lart se ku është sot”, ka thënë ai.