Drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovën, Sergiy Maslichenko, ka vlerësuar se Kosovës i duhen konsensus politik dhe shpejtësi më e madhe në përmbushjen e reformave, të cilat do të ndikonin në rritjen e investimeve të jashtme. Në një intervistë për KOHËN, ai është shprehur optimist për projektet në zbatim, shumica prej të cilave janë me sektorin privat
Reformat ekonomike dhe tërheqja e investimeve të huaja kërkojnë konsensus të brendshëm politik dhe shpejtësi në përmbushjen e tyre, ka thënë drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Kosovën, Sergiy Maslichenko.
Në intervistën e parë për një medium kosovar që prej emërimit në këtë pozitë, Maslichenko ka folur për projektet që BERZH-i synon t’i zbatojë në sektorin publik dhe në atë privat.
“Është shumë e rëndësishme për një vend si Kosova që të përparojë, të ketë konsensus politik brenda vendit, që të ketë reforma ekonomike dhe të ketë investime të huaja”, ka thënë Maslichenko. Sipas tij, këto janë çështje me rëndësi, “por më shumë e rëndësishme është po ashtu shpejtësia e reformave, sepse ciklet politike janë të shkurtra dhe Qeveria duhet të tregojë rezultate te qytetarët e vet”.
Maslichenko, i cili para se të vijë në Kosovë ka punuar për Qeverinë e Ukrainës dhe në zyrën e BERZH-it në këtë vend, ka theksuar se deri në fund të këtij viti pritet të nënshkruhen 16 projekte, 15 prej të cilave janë investime në sektorin privat.
Sipas tij, sektori privat po zhvillohet shpejt dhe natyrisht është më kërkues.
“Mendoj se roli i BERZH-it është ta mbështesë sektorin privat, por mendoj se për Kosovën, si një vend i ri në zhvillim, është shumë e rëndësishme të investohet në infrastrukturën publike, veçanërisht në rrugë, hekurudha”, ka thënë ai.
Fushat e tjera në të cilat BERZH-i është duke ofruar ndihmë në formë të kredive, sipas Maslichenkos, janë energjia, turizmi dhe teknologjia informative.
Të përbashkëtat e Kosovës dhe Ukrainës
KOHA: Ju vini nga vendi i cili prej gati dy vjetësh ndodhet në luftë me Rusinë. Para 23 vjetësh, Kosova doli nga lufta me Serbinë. Fillimisht do të doja t’ju pyesja se si u pritët, duke pasur parasysh bashkëndjenjën dhe përkrahjen e popullit dhe shtetit të Kosovës për Ukrainën?
Maslichenko: Faleminderit! Kjo është pyetje me rëndësi për mua dhe do të filloja me një përshtypje personale. Erdha këtu bashkë me familjen time, dy fëmijët, direkt nga Ukraina dhe më të vërtetë jam i impresionuar me simpatinë, solidaritetin e popullit të Kosovës për ne. Këtë e shoh gjithkund, e shoh në takime me biznese, me Qeverinë. Çdo takim fillon me shprehjen e mbështetjes dhe kjo është shumë me rëndësi për ne, është shumë prekëse. Po ashtu familja ime e vëren këtë gjithandej, në taksi e gjithkund. Kjo është e mrekullueshme dhe shpresoj se kjo miqësi dhe ky bashkëpunim do të përmirësohet në të ardhmen.
KOHA: Përveç traumës së luftës, çfarë të përbashkëta të tjera ndajnë Kosova e Ukraina?
Maslichenko: Është një pyetje e mirë, sepse në të vërtetë përtej traumave të luftës, ne jemi demokraci të reja duke bërë përpjekje për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në të ardhmen. Po ashtu sa i përket agjendës së jashtme, realizimin e reformave dhe më e rëndësishmja popull me një ndërmarrësi shumë dinamike. Kështu që bazuar në përvojën time, sepse kam punuar për Qeverinë, po ashtu edhe BERZH-in në Ukrainë, mund të them disa fjalë. Kjo është shumë e rëndësishme për një vend si Kosova që të përparojë, të ketë konsensus politik brenda vendit, që të ketë reforma ekonomike dhe të ketë investime të huaja. Pra, këto janë çështje me rëndësi, por më shumë e rëndësishme është po ashtu shpejtësia e reformave, sepse ciklet politike janë të shkurtra dhe Qeveria duhet të tregojë rezultate te qytetarët e vet. Kjo është shumë e rëndësishme për të arritur këto qëllime.
KOHA: Pas shtatë muajsh nga ardhja në Prishtinë për të udhëhequr operacionet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që është investitori më i madh multilateral në Kosovë, cilat janë përshtypjet tuaja për këta muaj sa jeni këtu?
Maslichenko: Para së gjithash jam i impresionuar me vendin si në nivelin personal dhe natyrisht nivelin profesional. Jam i lumtur të jem këtu me familjen time, po e shijojmë jetesën, njerëzit janë shumë të shoqërueshëm, të mirë. Është një ambient shumë i mirë dhe ne ukrainasit e ndiejmë këtë miqësi, këto vlera të përbashkëta. Sa i përket aspektit profesional, mendoj se Kosova është një vend emocionues, me mundësi të shumta. Kosova ka një potencial të madh dhe është interesante që gjendem këtu në këtë fazë të zhvillimit të vendit. Kam qenë i impresionuar nga njerëzit që punojnë fort, ka shumë biznese të vogla familjare të cilat janë vërtet të mrekullueshme dhe, sipas meje, kjo është thelbësore për ekonominë. Mendoj po ashtu se Kosova ka një të ardhme të mirë që të bëhet më shumë se e gjelbër dhe ekonomi digjitale. Mendoj se ka potencial të mirë, por në të njëjtën kohë shoh shumë pak investime. Kështu që, për arritjen e këtyre qëllimeve, mendoj se Qeveria dhe sektori privat duhet të investojnë më shumë në biznese, infrastrukturë, që të krijohen kushte për ardhjen e më shumë investimeve në vend.
KOHA: Përmendët disa nga potencialet. Në përgjithësi cilat janë format e përkrahjes së BERZH-it përmes kredive si ndaj institucioneve ashtu edhe sektorit privat?
Masclichenko: Në BERZH, ne ofrojmë financim, ky është qëllimi ynë kryesor natyrisht sa u përket kredive. Por shtuar kësaj, që është shumë me rëndësi, ndonjëherë ne ofrojmë asistencë për Qeverinë dhe bizneset si të përgatiten dhe t’i zbatojnë këto projekte. Ne kemi strategji pesëvjeçare për Kosovën, e cila është miratuar vitin e kaluar dhe i kemi tri prioritete. Prioriteti numër një është të mbështesim sektorin privat, e dyta mbështetja për tranzicionin në energjinë e gjelbër, në mënyrë që vendi të bëhet i gjelbër dhe modern. Ndërkaq prioriteti i tretë ka për qëllim përmirësimin e rrjetit rajonal, investimet e huaja, si dhe integrimet rajonale. Si bankë, mendoj se jemi goxha aktivë këtu, kemi hapur zyrën para 12 vjetësh dhe për këto vite kemi nënshkruar më shumë se 100 projekte në vlerë prej 600 milionë eurosh. Por më e rëndësishmja, ne kemi mbështetur bizneset e vogla, qoftë direkt ose indirekt nëpërmjet linjave kreditore me bankat komerciale. Me bankat tona partnere kemi mbështetur ndoshta mijëra biznese dhe individë në 12 vjetët e fundit në Kosovë.
KOHA: Kur jemi tek investimet, cili nga sektorët është më kërkues dhe efikas për të përfituar nga mbështetja e BERZH-it, sektori publik apo ai privat?
Maslichenko: Para së gjithash shoh shumë dinamizëm, siç e përmenda. Sektori privat po zhvillohet shpejt dhe natyrisht është më kërkues. Faktikisht këtë vit do t’i kemi shumicën e investimeve në sektorin privat. Planifikojmë t’i nënshkruajmë 16 projekte këtë vit, 12 prej tyre janë në sektorin privat dhe shpresojmë një në sektorin publik, në fund të këtij viti. Mendoj se roli i BERZH-it është ta mbështesë sektorin privat, por mendoj se për Kosovën, si një vend i ri në zhvillim është shumë e rëndësishme të investohet në infrastrukturën publike, veçanërisht në rrugë, hekurudha..., sepse kjo është thelbësore për njerëzit, bizneset që të jenë më aktive dhe të sjellin më shumë investime në vend.
Sektorët me potencial të lartë investiv
KOHA: Kur jemi te sektorët, cilët konsideroni se janë sektorët ku duhet përqendruar investimet e huaja në Kosovë, edhe në terme afatgjate, sepse për disa projekte duhet kohë derisa të kryhen?
Maslichenko: E vërtetë. Sipas pikëpamjes sime, energjia e ripërtëritshme është e ardhmja dhe mendoj se është temë kryesore gjithkund, dhe ne mbështesim plotësisht përkushtimin e Qeverisë për rritjen e energjisë së ripërtëritshme në vend, gjë e cila është paraqitur së fundi edhe në strategjinë për energji. Janë disa hapa të mirë që janë ndërmarrë, por duhet shumë më shumë të bëhet dhe BERZH-i, ne, do të donim të mbështesnim Qeverinë, por deri tash i shohim disa rezultate modeste. Nëse i shikoni vendet fqinje, sikurse Shqipëria, ka një bum me projekt prej 800 megavateve të mbështetur nga BERZH-i. Investimet solare kanë potencial të madh në vend, pasi impiantet e qymyrit janë të vjetruara dhe joefikase dhe duhet të zëvendësohen. Ky është trend global dhe Kosova është vend i duhur për t’i shfrytëzuar këto mundësi. Një mundësi tjetër e madhe, sipas meje, është në turizëm. Kam vizituar shumë vende të mrekullueshme ku jam kënaqur, sikurse janë Brezovica, Prizreni, Rugova, Drini i Bardhë, ujëvarat... janë të mrekullueshme. Mendoj se shumë të huaj duhet t’i njohin këto dhe me investimet e duhura në infrastrukturën e turizmit, ky sektor do të kishte të ardhme të mirë këtu. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme është sektori i teknologjisë informative, që ka një rritje të shpejtë. Veçanërisht për Kosovën që ka një popullatë të re është me rëndësi, por është e mirë për sektorët e tjerë që të kemi e-tregti, e-prokurim, digjitalizim - pra që të digjitalizohen sektorët e tjerë. Kjo po ashtu është me rëndësi për ta ndalur ikjen e trurit, që të rinjtë të mbahen këtu dhe mendoj se Kosova po ia del mirë në këtë fushë, por mund të bëjë edhe më shumë.
KOHA: Para se të shkojmë te disa projekte specifike që BERZHI është duke i zbatuar në Kosovë, siç e dimë, pengesë për Kosovën ka qenë perceptimi për nivelin e lartë të korrupsionit në institucionet publike - qendrore dhe lokale. Kështu që, sa ka përfituar Kosova asistencë nga BERZHI në fushat si prokurimi dhe transparenca, meqë i përmendët disa prej tyre?
Maslichenko: Jo, në të gjitha projektet tona ata përfitojnë mbështetjen e ashtuquajtur teknike nga BERZH-i. Kështu për secilin projekt në institucionet e sektorit publik siç është INFRAKOS-i, nëse marrim si shembull hekurudhat, ne ofrojmë konsulenca të larta të cilat INFRAKOS-i, pra ndërmarrje publike me projektin që jemi duke zbatuar (PiE) ofrohet shumë mbështetje dhe udhëzime si duhet realizuar. Të gjitha prokurimet duhet të shkojnë nëpërmjet rregullave të prokurimit që i ka BERZH-i. Kështu që mendoj se rreziqet nga korrupsioni apo keqpërdorimi i fondeve janë shumë të vogla, sepse prokurimi përmes BERZH-it është transparent dhe ne po ashtu jemi të përfshirë. Për projektet e tjera ku nuk është i përfshirë BERZHI nuk mund të komentoj. Në sektorin privat natyrisht është çështje e bizneseve si e bëjnë prokurimin, por nga përvoja ime nuk kam parë ndonjë çështje deri tash.
KOHA: Përmendët sektorin e energjisë në Kosovë. Siç e dimë deri tash ky sektor ka potencial, por është i vjetër, joefikas e ndotës. Cili duhet të jetë orientimi energjetik i shtetit, për të cilin ka pasur diskutime ndër vite dhe sa shihni vullnet e gatishmëri tek institucionet për ta ndjekur atë?
Maslichenko: Është e rëndësishme, por gjithashtu pyetje e vështirë, pasi të gjithë e dimë se Kosova mbështetet në termocentrale ku prodhon 90 për qind të energjisë së saj. Por është shumë joefikase, e pasigurt, barrë për ekonominë. Para disa vjetësh, gjatë krizës energjetike, Qeveria shpenzoi shumë para për të blerë energji nga jashtë për të zëvendësuar prodhimin aktual. Por gjithashtu në ditët e sotme nuk ka investitorë që do të ishin të vullnetshëm të ofrojnë kredi apo çfarëdo lloj të financimit të impianteve me qymyr, ato tashmë i takojnë historisë. Kështu që nëse shikoni në rajon apo në Evropë, të gjithë flasin për energji të ripërtëritshme. Energjia e ripërtëritshme në ditët e sotme është e lirë, kjo është provuar nga shumë studime, është e besueshme dhe ju mund ta menaxhoni atë përmes sistemeve të ndryshme siç është magazinimi dhe e keni të gatshme kurdo që ju nevojitet. Kur flasim për energjinë e besueshme nuk ka të bëjë vetëm me projekte të mëdha, ka të bëjë edhe me projekte të vogla kur njerëzit instalojnë sisteme në kulmet apo bizneset e tyre. Pra, këto mund të koncentrohen në pjesë të ndryshme të vendit dhe të krijojnë stabilitet në sistemin energjetik, dhe kjo mendoj se është mënyra që duhet mbështetur më shumë dhe ta ketë vëmendjen e Qeverisë. Deri tash, siç e thashë, janë bërë hapa të mirë për nisjen e veprimeve, por nuk është e mjaftueshme. Mendoj se roli i sektorit privat është më shumë i rëndësishëm që t’i besohet dhe t’i lejohet që të zhvillojnë projekte të vogla. Kur ke shumë prej tyre sigurisht nuk do të ishte problem. Natyrisht këto kohë energjia nga impiantet e qymyrit do të reduktohej dhe do të mbetej si ofrues rezervë në të ardhmen. Por siç e thatë prapë, kjo punë ka nja 10 vjet në horizont.
Humbjet në sektorin e energjisë
KOHA: Kur jemi te sektori i energjisë, dihet se Kosova përballet me humbje të konsiderueshme të energjisë në sektorin e shpërndarjes dhe atë komercial. A ka pasur ndonjë projekt që synon përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes dhe reduktimin e humbjeve komerciale?
Maslichenko: Po, ne kemi një projekt shumë të mirë me KOSTT-in, Operatorin e Transmisionit dhe Sistemit, ka qenë para 7 vjetësh dhe ne kemi siguruar kredi për KOSTT-in për të ndërtuar rrjet më të mirë dhe për të zvogëluar humbjet. Ky ka qenë projekti ynë i suksesshëm. Aktualisht jemi duke diskutuar me kompaninë dhe do ta kemi një takim menjëherë pas kësaj interviste. Ne do të donim që t’i mbështesnim më shumë në projektet e energjisë së ripërtëritshme, sepse nëse ka më shumë të ripërtëritshme, rrjeti i shpërndarjes ka nevojë për disa ndryshime dhe përmirësime për të konsumuar më shumë energji të ripërtëritshme, sepse energjia e ripërtëritshme nuk është gjithmonë e gatshme, duhen shumë pajisje për magazinimin. Kjo është arsyeja pse ne si BERZH do të donim të mbështesnim KOSTT-in me para, por gjithashtu me asistencë teknike. Kemi përvojë të mirë në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe po ashtu mendoj se kjo duhet të bëhet në Kosovë.
KOHA: Përmendët më herët autostradat dhe hekurudhat. Aktualisht Kosova i ka dy autostrada, ato për në Shqipëri dhe për në Maqedoni të Veriut. Çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim? Cilat janë projektet që BERZH-i i mbështet në këtë drejtim?
Maslichenko: Po, më duhet të them se kam qenë i impresionuar duke udhëtuar në këto autostrada, janë të shpejta, por me aq sa di kanë qenë të shtrenjta dhe të diskutueshme. Por nuk janë të mjaftueshme. Shumë qytete, si Gjakova apo Peja, nuk janë aq mirë të lidhura. Është qesharake të shpenzohet një orë e gjysmë për të shkuar në Gjakovë apo Pejë, të cilat mendoj se meritojnë më shumë lidhje. Mendoj se rrugët drejt qyteteve kryesore janë shumë të rëndësishme dhe Qeveria duhet t’i ketë prioritet. Si BERZH jemi të lumtur të ndihmojmë, tashmë kemi projektin për rrugën drejt Pejës dhe do të donim të kishim të tjera. Për momentin kemi projektin rajonal të rrugëve që përmirëson qasjen në rrugët e qyteteve si Prizren, Gjilan dhe Ferizaj. Por mendoj se jemi vetëm në fillim, është më rëndësi të kemi më shumë lidhje, sepse kjo është lëvizshmëri që i shtyn bizneset dhe investimet në të ardhmen.
KOHA: Po infrastrukturën hekurudhore si e vlerësoni? Cilat janë projektet ku jeni të përfshirë?
Maslichenko: Hekurudhat janë të rëndësishme, sepse po ashtu kanë të bëjnë me lëvizshmëri dhe qasje në eksport-import nga Kosova, po ashtu edhe lëvizje të njerëzve. Isha shumë i lumtur që para disa ditësh bashkë me kryeministrin ta hapim tunelin e hekurudhës dhjetë nga Shkupi në drejtim të Mitrovicës. Ky është projekt i yni, bashkë me Bashkimin Evropian. Ne kemi financuar projektin, punimet janë duke vazhduar nga jugu drejt veriut. Është një fillim i mirë dhe jemi të kënaqur me përparimin aktual, por po ashtu mendoj se është e rëndësishme që të ndërtohet edhe në drejtim lindje-perëndim për ta lidhur Fushë-Kosovën me Pejën. Po ashtu mendoj se pjesë e këtij rrjeti duhet të jetë lidhja me Aeroportin Ndërkombëtar, që po ashtu është e rëndësishme. Pra, mendoj se është një fillim i mirë, por mund të bëhet më shumë dhe BERZH-i si partner mund ta mbështesë Qeverinë në ndërtimin e më shumë hekurudhave dhe autostradave... veçanërisht hekurudha e Prishtinës është një projekt tjetër i rëndësishëm për të cilin kemi ndihmuar si BERZH për ta realizuar dizajnin preliminar për rrugën hekurudhore të Prishtinës. Por mendoj se duhet më shumë vullnet politik për të ecur përpara me këtë projekt, por si banor i Prishtinës e shoh si domosdoshmëri të madhe këtë hekurudhë, e cilat duhet të jetë prioritet për Qeverinë.
KOHA: Shumë projekte e kanë startin e mirë, por më pas, le të themi, vonohen. A shihni vonesa në zbatimin e të gjithë këtyre projekteve dhe cila është natyra e këtyre vonesave?
Maslichenko: Kjo fatkeqësisht ndodh në shumë vende dhe Kosova nuk bën përjashtim. Nëpër qeveri shpesh ka ndryshime dhe këto ndryshime nuk ndihmojnë, sepse çdo qeveri e re mund t’i rikonsiderojë projektet apo ndonjëherë të anulohen projektet. Po ashtu janë vonesat që ndërlidhen me shpronësimin e tokave, sepse dihet se shumë prona janë private dhe kërkohet financim dhe të arrihet pajtim me njerëzit. Por po ashtu janë problem kapacitetet e vogla, siç i quajmë, veprimet e ndërmarrjet nëpër ministri për të përgatitur dokumentet për shumë projekte dhe për këtë arsye BERZHI nuk ofron vetëm para dhe të pritet rezultate. Jo. Qëllimi ynë krahas parave është të ndihmojmë këto konsultime përmes vizitave për të ndihmuar në zbatimin e këtyre projekteve. Mendoj se ky është një ndryshim i madh me shumë programe të tjera donatorësh kur paratë i jepen buxhetit të shtetit dhe shpesh nuk shpenzohen sepse nuk ka përvojë apo kapacitete të mjaftueshme për t'i shpenzuar këto para. Prandaj është e rëndësishme që të shkohet me partnerë siç është BERZH-i, sepse nuk është vetëm çështje parash, por po ashtu se si të shpenzohen ato në mënyrë efektive, transparente dhe rezultate të arritshme. Kjo është ajo që sjellim ne.
KOHA: Një sektor tjetër që do të doja ta diskutonim është agrobiznesi, ku investimet përfshijnë fusha nga prodhimi deri te modernizimi i rrjetit të shpërndarjes dhe shitjes. Cilat projekte kanë potencialin për të kontribuar drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e standardeve mjedisore?
Maslichenko: Agrobiznesi është po ashtu i rëndësishëm, nuk e përmenda për shkak të mungesës së kohës. Unë po ashtu vij nga një vend agrokulturor dhe e di rëndësinë në kuptim të punësimit, sigurisë së ushqimit, në kuptim të eksporteve. Më të vërtetë edhe në Kosovë është një sektor me potencial, kam pasur rastin të vizitoj disa kompani prodhuese, njëra ka filluar të financohet këtë vit dhe do të donim të shihnim më shumë. Kur flasim për kulturat agrokulturore primare, për të rritur disa produkte duhen qartësi sa u përket tokave, sepse kam kuptuar se fragmentimi i tokave është një problem për të pasur kompani të mëdha fermere që të operojnë si duhet. Por po ashtu ambienti i përgjithshëm biznesor për agrobiznes mund të përmirësohet dhe më të vërtetë ka mundësi të mira që Kosova të ketë rol në këtë sektor.
KOHA: BERZH-i po ashtu mbështet ndërtimin e kapaciteteve të brendshme në mënyrë që të ketë një ekonomi funksionale. Kështu që cilat janë projektet nëpër komunat e Kosovës që po i përkrahni?
Maslichenko: Me komunat ne kemi projekte të ashtuquajtura jetike. Zakonisht kemi projekte për trajtimin e ujërave të zeza. Tashmë veçse kemi zbatuar projekte të tilla si ai në Mitrovicë dhe në Gjilan. Planifikojmë të nënshkruajmë një marrëveshje tjetër këtë vit, që është një projekt për trajtimin e ujërave të zeza në Ferizaj. Po ashtu ne po planifikojmë të lansojmë planin e mobilitetit, për të blerë autobusë elektrikë në të ardhmen për komunat kryesore.
KOHA: Për cilat komuna bëhet fjalë?
Maslichenko: Veçse e kemi diskutuar me Komunën e Ferizajt, në formën preliminare kemi diskutuar edhe me Komunën Gjakovës, me Komunën e Gjilanit dhe qytetet kryesore mund të përfitojnë nga ky program. Natyrisht se këtë program e kemi diskutuar edhe me Ministrinë e Financave dhe e kemi diskutuar edhe me kryeministrin dhe mendoj se kjo është një mundësi e mirë për komunat. Përveç autobusëve, është edhe çështja e ndërtesave të vjetra publike, që humbnin shumë energji. Ne tashmë kemi mbështetur ndërtesat publike në Prishtinë dhe në Prizren, por duam ta vazhdojmë edhe në qytetet e tjera së bashku me Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë. Ky është një tjetër projekt që është në përgatitje dhe vitin e ardhshëm po shpresojmë të nënshkruajmë një projekt tjetër për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë. Kështu që puna me qeveritë lokale është shumë e rëndësishme dhe jo vetëm me qeverinë qendrore. Natyrisht se është e rëndësishme të punohet me qeverinë qendrore, por komunat kanë po ashtu kapacitetet dhe iu duhen shumë fonde e për këtë roli i Bashkimit Evropian dhe donatorëve të tjerë është i rëndësishëm për t’iu ofruar asistencën e nevojshme teknike.
KOHA: A është gjithnjë në kohë kjo asistencë teknike apo po ka vonesa nga komunat që janë pjesë e zbatimit të projekteve?
Maslichenko: Të gjitha projektet vijnë me asistencë teknike, sepse ndryshe nuk do të zbatoheshin apo do të merrte shumë kohë deri në zbatim. Kështu që natyrisht se të gjitha komunat kanë probleme e vonesa, por ky është roli ynë: që t’iu ndihmojmë, t’i mësojmë se si t’i zbatojnë këto projekte dhe prandaj po flasim për projekte milionëshe, mbi 10 milionë euro apo 20 milionë euro, siç është projekti për trajtimin e ujërave të zeza, që komunat kurrë s’i kanë zbatuar projektet e tilla e prandaj ne punësojmë konsulencë ndërkombëtare për të zbatuar këso projektesh. Ne punojmë me anëtarët kryesorë që përfitojnë nga këto projekte dhe në fakt komunave iu nevojitet më shumë mbështetje nga Qeveria nga donatorët dhe të tjerët. Por kështu bëhen projektet, sepse në fund të fundit ata janë përfituesit e këtyre projekteve investive nëpër komuna.
KOHA: Ka shumë projekte që kemi përmendur gjatë kësaj interviste, por për zbatimin e të gjitha këtyre projekteve duhet edhe vullnet politik. A shihni që institucionet e Kosovës, qoftë ato qendrore apo lokale, kanë këtë vullnet, sepse ekziston një perceptim se gjithçka varet nga vullneti politik në rajonin tonë?
Maslichenko: Paj, është një pyetje komplekse. Mendoj se kryeministri dhe Qeveria e kuptojnë çështjen dhe nevojën për të ndërtuar më shumë infrastrukturë dhe ne si partnerë mbështetës iu ofrojmë përkrahje dhe mund të bëjmë më shumë. Siç e përmenda mund të bëjmë edhe një projekt tjetër në sektorin publik —projektin për trajtimin e ujërave të zeza. Në fakt ne nuk kemi kufizime. Zakonisht ne ofrojmë 70-80 milionë euro gjatë vitit, por mund të keni edhe 200 apo 300 milionë euro. Në vend të një projekti mund të kemi 3 apo 5 projekte. Ne po ashtu kemi sjellë ide që ua kemi prezantuar kryeministrit, ministres së Ekonomisë, ministrit të Financave, ministrit të Infrastrukturës dhe ne presim më shumë dinamizëm dhe përfshirje më aktive. Jemi të kënaqur me rezultatet e tanishme, por personalisht mendoj se mund të bëjmë më shumë në Kosovë, mirëpo prapë Qeveria ka nevojë për mbështetje, nevojë për kapacitete të reja. Kanë përvojë për projekte të tilla. Dhe njerëzit në terren, nëpër komuna po ashtu nuk janë të familjarizuar me këso lloj projektesh. Është proces, por mendoj se jemi në rrugë të mirë për të arritur rezultate të mira.
KOHA: Në fund të kësaj interviste do të doja të flisja me ju për rritjen ekonomike të Kosovës. Në bazë të të dhënave nga BERZH-i, të publikuara më 16 maj, mesatarja e rritjes ekonomike e Ballkanit Perëndimor në 2024 llogaritet të shkojë prej 3.5 për qind deri në 4 për qind. Kosova pritet të ketë rritjen më të madhe në rajon, por a është kjo rritje e mjaftueshme për të përmirësuar situatën ekonomike në Kosovë?
Maslichenko: Në vështrimin tim ky është një numër i mirë, duke i krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit do të jetë rezultati më i mirë. E se a mund të bëjë ekonomia e Kosovës më shumë, unë besoj se po. Mund të bëjnë më shumë dhe për këtë jemi edhe këtu si partnerë. Personalisht unë besoj se Kosova ka një të ardhme evropiane dhe BERZH do të mbesë si partner, por mendoj se në mënyrë që të ketë rritje ekonomike, Kosova duhet ta ketë prioritet reformën ekonomike e po ashtu të lejojë sektorin privat të jetë më aktiv dhe t’i besojë sektorit privat më shumë. Po ashtu është shumë e rëndësishme që ky dialog mes sektorit privat dhe Qeverisë është aktiv dhe i përditësuar dhe mendoj se siç ishte rasti sot me hapjen zyrtare të platformës së dialogimit mes sektorit privat dhe publik, që bëmë me kryeministrin Kurti. Ky është veç fillimi i rrugëtimit, por mendoj se është e rëndësishme për të ndërtuar këtë besim të ndërsjellë për ekonominë.