Arbëri

Mashtrimi me transplantime, analiza laboratorike dhe shërbime “fiktive”

Fondi

Hulumtimi i KOHËS sjell të tjera dëshmi që ngrenë dyshime për keqpërdorime gjatë trajtimit të pacientëve jashtë institucioneve. Një pacienti, të cilit i është bërë autotransplantimi në Turqi, fatura nga afro 80 mijë euro i është “fryrë” në 230 mijë euro. Po me diferencë të përafërt mes kostos reale dhe asaj të faturuar i është kalkuluar shpenzimi edhe një pacientit tjetër, por që pas qasjes së familjes së tij në dokumente, rasti është denoncuar te Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Pas procesit të llogaritjes, fatura për pagesë është zbritur në 90 mijë, nga 310 mijë sa ka kërkuar spitali. Për ekzistimin e një skeme mashtrimi dhe rolin e agjencive ndërmjetësuese kanë folur edhe persona të përfshirë në këtë “biznes”

Manipulimi me llojet e transplantimeve është vetëm njëra nga teknikat e shumta mashtruese që dyshohet se janë bërë në Programin e trajtimit të pacientëve jashtë institucioneve publike të Kosovës.

Në hulumtimin disamujor të KOHËS për keqpërdorimet dhe abuzimet financiare në këtë program, janë gjetur parregullsi, sidomos në raportet mes shumës së shpenzimeve të parashikuara me rastin e miratimit të kërkesës për trajtim dhe atyre që faturoheshin në fund nga spitali.

Dokumentet e siguruara nga KOHA dëshmojnë për fryrje të faturave edhe nëpërmjet shërbimeve ”fiktive”, ashtu si në rastin e një fëmije që ishte dërguar në Spitalin Medipolmega, që vepron në Turqi.

Fondi për Sigurime Shëndetësore kishte aprovuar profaturën 160 mijë euro, aq sa është maksimumi për këtë lloj sëmundjeje. Kjo vlerë aprovohet vetëm në rast se në planin e trajtimit parashihet transplantimi i palcës kockore nga donatori i huaj e jo autotransplantimi apo transplantim me dhurues anëtarët e familjes. Ndërsa sipas Udhëzimit Administrativ të amendamentuar në vitin 2017, vlera maksimale për një patologji të tillë, por me donator - anëtar të familjes, kostoja është ndërmjet 50 mijë e 80 mijë euro.

Fatura për pacientin nuk është paguar ende nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Ajo, sipas të dhënave të siguruara, ka mbërritur në shumën e 230 mijë eurove.

KOHA ka kontaktuar anëtarët e familjes së pacientit.

“Në profaturë shkruan autotransplant. Tek ky është kryer autotransplant, pra me qeliza të veta”, kanë thënë ata për gazetën.

Në profaturë kostoja e transplantimit ishte vlerësuar 115 mijë euro. Nuk është specifikuar së çfarë lloj transplantimi, por mbështetur në ligj kjo vlerë mund të aprovohet vetëm tek transplantimet me donator të huaj.

Pavarësisht faktit që ka mospërputhshmëri mes vlerës së kostuar dhe llojit të transplantimit, pacientit i janë faturuar edhe 70 mijë euro shpenzime shtesë nga vlera e profaturës.

E familja e këtij pacienti përmes një emaili i është drejtuar Fondit të Sigurimit Shëndetësor për çmimin astronomik për autotransplantimin.

“Në ndërkohë transplantimin që e ka kryer prej qelizave të veta, ata e kanë faturuar 115 mijë euro, jashtë normales”, ka shkruar familja në emailin që e ka parë KOHA.

Në literaturën mjekësore mund të gjendet kuptimi i autotransplantimit.

“Transplantimet autologe merren nga qelizat tuaja burimore, zakonisht me burim nga gjaku periferik që ngrihet dhe ruhet. Qelizat staminale duhet të merren nga gjaku juaj përpara se të merrni ndonjë trajtim për të vrarë kancerin”, thuhet në këtë përkufizim.

Meqë ka dallim mes autotransplantimit dhe transplantimit me dhurues të huaj, edhe kostoja e shërbimit për to është e ndryshme. Nëse donatori për transplantim është anëtari i familjes apo bëhet fjalë për autotransplantim, Fondi i Sigurimit Shëndetësor e mbulon trajtimin nga 50 mijë deri në 80 mijë euro si vlerë maksimale. E në rast se donatori është i huaj, Fondi paguan deri në 160 mijë euro.

Shërbimet e “vogla” – nga 90 mijë, fatura rritet në 310 mijë

Mashtrimi me rastin e kalkulimit të shpenzimeve nuk bëhet vetëm me shërbimet që kanë kosto të lartë, siç është kemioterapia apo transplantimet. Dhe ai nis qysh kur bëhet përgatitja e profaturave dhe përfshirja aty e një liste të gjatë të shërbimeve “të vogla”.

Në profaturë krahas përshkrimeve kryesore vihen re edhe disa informata të tjera, por që shfaqen aty me shkronja më të vogla. Në përmbajtjen e tyre shkruan se nëse trajtimi zgjat, atëherë çdo ditë kushton 310 euro, plus tarifat, e nëse pacienti ka nevojë për kujdes intensiv, atëherë kostoja është 750 euro në ditë, duke mos i përfshirë tarifat shtesë.

Por në faturën finale të pacientit që i është nënshtruar autotransplantimit në tetor të vitit 2020, dita ka kushtuar më shumë sesa është thënë në profaturë. Ndonëse aty thuhet se me çmimin prej 160 mijë eurosh për shërbimet e cekura pacienti i ka të mbuluara 15 ditë qëndrimi në spital e 30 ditë të tjera në Turqi, që në ditën e parë të hospitalizimit ka nisur kalkulimi i shpenzimeve shtesë.

Ditën e parë kur është bërë hapja e historisë dhe testimi për COVID-19, fatura është caktuar 220 euro shtesë. Të nesërmen aty janë faturuar edhe 221 euro analiza laboratorike, e një ditë më pas vlera është rritur edhe për 473 euro. Në ditën e katërt shpenzimet ditore janë kalkuluar me 2549 euro. Deri në këtë ditë asnjë nga shërbimet të listuara në profaturë nuk konfirmohet se është kryer, e megjithatë aty janë përshkruar shpenzimet edhe për maskat e oksigjenit, kanillat e deri te vizitat e mjekut dhe të infermierëve. Gati 8 mijë euro i janë faturuar pacientit vetëm për vizita të mjekëve gjatë kohës së hospitalizimit, ndonëse në profaturë nuk parashihej një gjë e tillë.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga Spitali Medipolmega dhe nga agjencia që e përfaqëson atë në Prishtinë. Spitali nuk ka kthyer përgjigje, ndërsa në agjenci kanë thënë se drejtuesit e spitalit nuk duan të flasin për këtë çështje. Ky spital është përzgjedhur shumë herë për trajtimin e pacientëve nga Kosova.

Por, sado të rralla, ekzistojnë edhe raste kur familjarët e pacientëve kanë arritur të kenë qasje në të dhënat mbi shpenzimet finale.

KOHA është informuar për rastin e trajtimit të një fëmije në Turqi më 2019-n, për të cilin fletëzotimi ishte lëshuar në vlerën e 120 mijë eurove. Në profaturë parashiheshin gjashtë cikle të kemioterapisë, por vetëm pas tri cikleve të kemioterapisë “borxhi” kishte mbërritur në 200 mijë euro, ndërsa fatura finale në 310 mijë euro. Familja, siç ka mësuar KOHA, e ka denoncuar spitalin për fryrjen e çmimit në Fondin për Sigurime Shëndetësore. Pas procesit të llogaritjes, fatura për pagesë ka zbritur në 90 mijë euro. Çmimet në faturën me vlerë 310 mijë euro ishin të përgjithshme - aty ishin faturuar edhe analizat laboratorike, konsultimet, shërbimi i dhomës së pacientit, e kjo e fundit në vlerë të 51 mijë eurove.

“Kurrë s’e kena ditë çka kemi nënshkru”

KOHA gjatë hulumtimit ka intervistuar shumë persona që kanë qenë të përfshirë në këto procese. Njëri nga ta, që merret me ndërmjetësimin e dërgimit të pacientëve në spitalet turke, ka thënë se agjencitë ndërmjetësuese bëjnë manipulimin e profaturave. Ka thënë që qytetarët duhet të kenë kujdes kur t’i marrin profaturat, sepse, sipas tij, në fund mund t’u dalin shumë me shtrenjtë sesa çmimi fillestar.

“Ka raste kur na ka ndodhur, vjen pacienti edhe thotë ama një profaturë se Fondi i kërkon 2 profatura. Thotë a ka mundësi një profaturë. Unë i kam thanë s’ka. Nuk ka mundësi, veç një profaturë. Ne nëse i bëjmë, i bëjmë të dyja. Pse? Arsyeja, pse? Kjo është politika e firmës sonë. Se ti ke aplikuar, nuk dua me mendu ti çfarë po bëj unë. Ka aso kompani, qysh kemi pa që ia jep profaturën, por ja ka nxjerrë këtu poshtë: në rast të komplikimit 600 euro e ke natën... Te unë ajo nuk ndodh. Te unë qe shkrun... 30 mijë a po shkruan, as 29.999 nuk të bahet as 30 mijë e 50 centë nuk të bahet”, ka thënë ai në kushte anonimiteti.

Personi i përfshirë në biznesin e ndërmjetësimeve ka sqaruar edhe problemin e dallimit të çmimeve.

“Pse po dallojnë çmimet: Një, se populli i pavetëdijshëm, se më së pari unë e ti s’i dimë të drejtat. Unë derisa ja kam nisë para 5-6 vjetëve s’e kom ditë që ekziston... Lloj-lloj agjencish kemi qetu. 90 për qind i kemi spitalet e njëjta”, ka deklaruar ai.

Dëshmitari tregon se si spitalet private ua japin agjencive çmimet me rabat-zbritje. Sipas tij, agjencia që dërgon më shumë pacientë ka më shumë punë, e çmimin më të lirë të trajtimit të sëmundjeve të rënda. Zbritjen, thekson ai, shpesh agjencia e shfrytëzon si fitim për vete.

Por, ndryshe nga qasja e drejtpërdrejtë që agjencitë kanë në tërë procesin e dërgimit të pacientëve për trajtim jashtë vendit, kjo nuk ndodh me pacientët dhe familjet e tyre.

Njëri nga ta që vitin e kaluar ka qëndruar për afro gjashtë muaj me fëmijën e tij në Turqi, jo vetëm që ka mungesë informacioni për koston, por ai ka një peng që ka nënshkruar dokumente që nuk e di përmbajtjen e tyre. Profatura ka thënë se i kushtonte 60 mijë euro, por se ndërkohë ka dëgjuar se fatura finale është kalkuluar me 120 mijë euro, ndonëse për kohën sa ka qëndruar në këtë spital fëmijës së tij nuk i është diagnostikuar sëmundja. Fëmija i tij ka ndërruar jetë tre muaj pas kthimit në Kosovë.

“Në Prishtinë ka qenë me oksigjen, në Turqi ka nejt me oksigjen, edhe nuk kanë mbërri me ja hjekë oksigjenin. S’e kanë ditë as ata çka ka, edhe jemi kthye me oksigjen, me 2-3 aparate nëpër aeroporte. Veç shpirti jem e dinë çka kam hjekë”, ka deklaruar ai.

Ai ka folur edhe për çmimin e trajtimit.

“Ja, kurgjo hiç nuk më kanë dhanë. Ju kam thanë ama profaturën, sa kom nejt në spital e asi, ka thanë ti nuk ke punë me neve, na i kryjna me Fondin”, ka treguar ai.

Atij i janë ofruar dokumente në spital për nënshkrim, por ai thotë se nuk e di se çfarë ka nënshkruar, për shkak se nuk e ka kuptuar gjuhën. Përkthyesja e spitalit pohohet t’i ketë thënë se meqë përmbajtja e dokumenteve është voluminoze, ti duhet vetëm t’i nënshkruash.

“Në Turqi, kurrë nuk e kemi ditë se çfarë jemi duke nënshkru. Veç thojshin, shkruje, e lexova e kuptova. Thojsha çka jam tu nënshkru, thojshin shumë ka këtu me lexu, veç ti shkruje..., kurrë s’e kena ditë çka kemi nënshkru”, ka thënë ai.

Në dokumentet që i lëshon FSSH-ja për raste emergjente, tekstualisht përcaktohet që pas trajtimit pacienti ose familjari detyrohet t’i dorëzojë faturat në FSSH e me pas bëhet pagesa.

Por një pjesë e madhe e pacientëve nuk kanë parë kurrë faturë, e as nuk kontaktohen fare nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor për kohën sa qëndrojnë për trajtim në institucionet jopublike shëndetësore. Mosfunksionimi i këtij zinxhiri vështirëson verifikimin e shërbimeve të ofruara dhe shpenzimet.

(Në numrin e nesërm mund të lexoni se si spitalet i kanë detyruar pacientët të blejnë barna. Pse agjencitë ndërmjetësuese u kanë kërkuar para pacientëve për të cilët shteti ka marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve 100 për qind? A është njoftuar Fondi për rastet kur spitali qëllimshëm ua ngatërron faturat?)