Opozita ka reaguar pas mashtrimit të kryeministrit Albin Kurti nga komedianët e famshëm rusë, “Vovan & Lexus”, të cilët i janë prezantuar Kurtit si presidenti letonez.
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shihet përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook, duke bërë mimika me një fytyrë “dëshpëruese” teksa sheh Kurtin duke rënë pre e mashtrimit.
Ai nuk ka shkruar asgjë krah videos së shkurtër 10-sekondëshe.
Edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka shkruar për këtë rast, duke thënë se nuk është e turpshme që ka rënë në grackë, por biseda “skandaloze” dhe përmbajtja e saj.
“Kryeministri e shfrytëzon këtë 'takim' për të sulmuar opozitën, mediat, bizneset – madje edhe administratën e re amerikane. E gjithë biseda nxjerr në pah një nivel shqetësues sipërfaqësor dhe të paditur në trajtimin e çështjeve të politikës së jashtme. Dhe nëse kjo është mënyra se si Kurti flet në takime me liderë ndërkombëtarë, atëherë… mozomakeq për ne”, ka shkruar ajo në Facebook, duke e quajtur tërë këtë ndodhi mjerim.
Në videon e publikuar në kanalin e komedianëve, Kurti shihet teksa flet në anglisht në atë që duket si bisedë online direkte.
Në video, Kurti dëgjohet teksa ankohet se ndaj tij ka pasur luftë hibride. Këtu ka thënë se lufta e tillë është bërë kryesisht nga Serbia, Rusia “por edhe elementë të tyre brenda Kosovës”. Sipas tij, lufta e parë ndaj tij është bërë përmes dezinformatave.
Pikë të dytë i ka përmendur “premtimet irracionale nga opozita, që po flirtonte me luftën hibride”.
E në pikë të tretë të “luftës hibride ndaj tij”, Kurti ka përmendur oligarkë.
Kurti ka kritikuar edhe Richard Grenellin, ish-emisarin amerikan për dialogun, Kosovë-Serbi. Sipas kryeministrit Kurti, Grenelli ka punuar katër vjet kundër tij.
“Ai ka qenë edhe instrument në rrëzimin e Qeverisë sime herën e kaluar”, ka thënë Kurti teksa ka shtuar se Grenelli ka dekoratë në Serbi. “Nuk është mirë që të marrësh një të tillë nga një shtet autoritar dhe të pretendosh se je neutral”.