Arbëri

MASHTI-n nuk e bindin shifrat rekorde edhe të fëmijëve me koronavirus

Asnjë masë mbrojtëse e përhapjes së variantit Delta pas kthimit të fëmijëve në shkollë nuk e ka bërë publike MASHTI. Vetëm të mërkurën kanë rezultuar pozitivë me koronavirus rreth 300 fëmijë, e mësimi planifikohet të nisë me prani fizike nga java e ardhshme. Nuk dihet sa do të jetë numri i nxënësve në klasa, si do të arrihet të mbahet distanca, e çka do të ndodhë në rastet kur dikush nga nxënësit e ndonjë klase mund të rezultojë pozitiv, cili do të jetë varianti sipas të cilit do të vazhdojnë nxënësit e tjerë mësimin

Dy ditë para se të shënohej rasti i parë me COVID 19 në Kosovë, me 11 mars të vitit 2020, Qeveria Kurti 1 pati vendosur për mbylljen e shkollave si masë parandaluese e virusit.

Një vit e gjysmë pas, kur trajektorja e rasteve është në pikën më të lartë që ka qenë ndonjëherë jo veç me raste aktive, por edhe hospitalizime, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë vendim që shkollat nga java tjetër të nisin me prani fizike.

Vetëm të mërkurën janë shënuar mbi 300 raste pozitive me koronavirus te fëmijët. Pjesa dërmuese e të infektuarve në Kosovë, sipas institucioneve, janë të variantit Delta, e variantet e kaluara kur shkollat ishin të mbyllura preknin dukshëm më pak fëmijët.

Isme Hulmolli, nga Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka thënë se Instituti i Shëndetit Publik në koordinim me Ministrinë e Arsimit duhet t’i bëjnë përgatitjet e duhura që nxënësit të kthehen fizikisht në shkolla.

“OBSH rekomandon kthimin e fëmijëve në shkolla, për shkak të disa elementeve pozitive, të cilat i kanë fëmijët në shkolla për shkak të procesit të socializimit. Mundësia e përhapjes së variantit Delta nëpër shkolla është e madhe, MSH dhe Instituti duhet të përcjellin situatën epidemiologjike dhe duhet të veprojnë konform situatës epidemiologjike”, ka thënë Humolli.

MASHTI qe dy ditë nuk i ka kthyer përgjigje KOHËS se çfarë përgatitjesh shtesë ka bërë që mësimi të fillojë në shkolla. Nuk dihet sa do të jetë numri i nxënësve në klasa, si do të arrihet të mbahet distanca, e çka do të ndodhë në rastet kur dikush nga nxënësit e ndonjë klase mund të rezultojë pozitiv, cili do të jetë varianti sipas të cilit do të vazhdojnë nxënësit e tjerë mësimin.

Pavarësisht që sipas Ministrisë se Shëndetësisë projeksionet nuk janë optimiste, ministrja Arbëri Nagavci këmbëngul në mësim me prani fizike.

“Sa i përket planit të MASHTI-t dhe MSH-së për fillimin e mësimit, MSH dhe IKSHPK janë duke punuar intensivisht në udhëzuesin aktual për masat e përgjithshme dhe të veçanta kundër COVID-19 për sektorin e arsimit dhe janë duke hulumtuar përvojat e rajonit për reflektim dhe përditësim të procedurave të duhura për fillim të procesit mësimor. Sa u përket projeksioneve, situata epidemiologjike pritet të jetë e ngarkuar edhe ditëve në vijim si pasojë e pranisë së madhe të Delta variantit të SARS COV-2”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ky institucion nuk e ka thënë në mënyrë të prerë se do të nisin ose jo shkollat.

“MASHT dhe MSh do të konsultohen në vazhdimësi para çfarëdo vendimi që lidhet me fillimin e procesit mësimor në shkolla”, thuhet në përgjigjën e këtij institucioni.

Por ministrja Arbërie Nagavci një gjë të tillë e ka konfirmuar ditë parë përmes një statusi në Facebook.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar, mësimi pritet të fillojë më 1 shtator. Ne synojmë të mbajmë shkollat të hapura dhe mësimi të zhvillohet me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore”, ka shkuar Nagavci.

Mes tjerash, sipas saj, bazuar në disa studime, mbyllja e shkollave ka ndikuar negativisht te fëmijët dhe mësimdhënësit.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara (CDC), përderisa një person i infektuar me variantin fillestar të koronavirusit infektonte dy persona, me variantin Delta, një person i infektuar e transmeton virusin te pesë e më shumë persona.

Që nga 16 gushti Kosova ka lejuar edhe personat nën 18 vjeç të imunizohen kundër COVID-19.

Sipas vendimit të ri, u lejohet vaksinimi i personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer ndërsa për grupmoshën 12-15 vaksinimi “do të bëhet me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”.

Përhapja e variantit Delta po bëhet në shpejtësi në shumë vende të botës, sidomos tek ato shtete që kanë shkallë të ulët imunizimi.

Në një studim të Universitetit Duke në Amerikë, flitet për rëndësinë e imunizimit të fëmijëve.

“Nëse fillon shkolla pa kërkuar me detyrim maskat, nga shtatori deri në dhjetor pjesa më e madhe e fëmijëve në shkolla do të infektohen. I tillë është ky virus; ky variant është më ngjitës se ai i vjetshmi”, thuhet në këtë publikim të Dr. Danny Benjamin i Universitetit Duke.

Shpejtësia me të cilën përhapet varianti Delta, sipas mediave amerikane, e ka bërë Akademinë Amerikane të Pediatrisë të nxisë autoritetet rregullatore të miratojnë përdorimin e vaksinave kundër COVID-it për të imunizuar edhe fëmijët nga mosha 5 vjeç. Pritet që miratimi të jepet brenda pak muajsh.

Aktualisht në Klinikën e Pediatrisë ka një numër të fëmijëve të hospitalizuar e ditët e kaluara disa prej tyre kanë pasur nevojë për oksigjenoterapi.