Arbëri

MASHTI largon nga përdorimi doracakët për edukim seksual

shkolla

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të premten ka vendosur që t’i largojë nga përdorimi doracakët për edukim seksual dhe shëndet riprodhues. 

Ditëve të fundit në opinion është kritikuar përmbajtja e doracakëve për mësimdhënësit gjatë ligjërimit të temave mbi edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues. Opozita e ka kritikuar pushtetin për miratimin e doracakëve, që sipas tyre nuk përkon me moshën e nxënësve. Ndërsa pushteti e ka cilësuar të gjithë këtë debat, pjesë të fushatës elektorale.

MASHTI ka nxjerrë vendim për rishikimin e doracakëve dhe ka thënë se deri në përfundim të rishikimit, ata do të largohen nga përdorimi. 

“...njoftojmë mësimdhënësit dhe prindërit se doracakët do të largohen nga përdorimi dhe nga faqja zyrtare e MAShTI-t deri në përfundim të rishikimit nga komisioni me ekspertët më të mirë në vend dhe të gjitha palët kompetente që i japin siguri e qartësi këtij procesi. MAShTI është institucioni i vetëm kompetent me autoritetin ligjor për këtë çështje. Në këtë linjë, çdo vendim jokompetent nga institucionet komunale nuk prodhon asnjë efekt juridik”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministria ka theksuar se në komisionin që do ta formojë me ekspertë për rishikimin e doracakëve, do të ftohen të gjitha palët relevante, përfshirë Këshillin e Prindërve të Kosovës. 

“Duke marrë parasysh shqetësimet e prindërve në adresë të Ministrisë, sqarojmë edhe një herë që nuk ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual. Edukimi seksual synon të pajisë fëmijët dhe të rinjtë me njohuri të bazuara në fakte shkencore rreth shëndetit seksual dhe riprodhues, dhe i ndihmon të kuptojnë ndryshimet trupore që ndodhin gjatë zhvillimit”, thuhet aty.

Ministria ka thënë se lidhur me doracakët për mësimdhënës, prej vitit 2019 janë trajnuar më shumë se 2500 mësimdhënës dhe se deri tani nuk ka pasur asnjë shqetësim nga asnjë palë, përfshirë ekspertët shëndetësorë, psikologët, mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, Drejtoritë Komunale apo palë të tjera në lidhje me përmbajtjen e doracakëve. 

“Ndërkohë, Ministria e Arsimit kërkon nga të gjithë të përmbahen prej gjuhës tejet të papërshtatshme që po përdoret ditët e fundit”.