Arbëri

MASHTI i shpërndan paratë për maturantët pa filluar trajnimi i tyre

Vetëm 957 maturantë, nga 2 mijë sa ishte e paraparë që të subvencionohen, do të ndjekin kurset e IT-së.

Nga Ministria e Arsimit thonë se për të përfituar nga subvencionimi pati vetëm 967 aplikime, edhe pse thirrja është shpërndarë përmes DKA-ve, mediave dhe rrjeteve sociale.

Por drejtori i shkollës “Gjin Gazulli” në kryeqytet thotë se kanë qenë të njoftuar se vetëm 18 nxënës do të pranohen nga kjo shkollë, prandaj ka pasur më pak aplikime.

"Kemi qenë të informuar edhe prej DKA-së, edhe prej Ministrisë, d.m.th. e kemi pasur e-mailin zyrtar, edhe ne i kemi informuar nxënësit, mirëpo informata që ka qenë, ne kemi menduar që është numër i kufizuar. Besoj që ndoshta sikur të kishin aplikuar më shumë, kishin pasur shans të pranohen edhe më shumë nxënës", ka deklaruar Bujar Gjocaj, drejtor në shkollën “Gjin Gazulli”.

Për shkak të aplikimit të vogël të nxënësve thirrja është zgjatur për një aftat shtesë për dy javë, mirëpo përsëri numri nuk është përmbushur.

Sipas MASHTI-t, thirrja nuk do të rihapet më.

Edhe pse trajnimi ende nuk ka filluar, nxënësit qysh nga dhjetori e kanë pranuar shumën e mbulimit të shpenzimeve.

Maturantët thonë se nuk kanë ndonjë njoftim se kur do të fillojnë trajnimet.

"Pasi jemi pranuar, mjetet, të hollat, janë dërguar në xhirollogaritë bankare të prindërve në periudhën e dhjetorit. Prej asaj kohe nuk kemi ende asnjë informatë se kur do të fillojnë trajnimet", tha Dardan Vllasaliu, maturant në shkollën “Gjin Gazulli”.

kompanitë e certifikuara për të mbajtur këto trajnime thonë se kurset do të fillojnë në prill, për shkak se MASHTI e ka dërguar me vonesë listën e të pranuarve.

"Shqetësimi ynë është se procesi është vonuar. Paratë që kanë qenë për kandidatët janë ekzekutuar para tre muajve, e ne tash po futemi në muajin e katërt, pra në prill, kur parashihen të fillojnë trajnimet dhe shumë prej kandidatëve që i kanë marrë ato mjete për shujta dhe udhëtim pohojnë se ato të holla veç i kanë shpenzuar deri tash”. U shpreh Veton Xhelili, menaxher i trajnimeve në “Cactus Education”.

“Ne po besojmë që do të fillojmë trajnimin brenda një ose dy javësh dhe besojmë që do të përfundojmë të gjitha përgatitjet logjistike, të arrijmë t'i bëjmë, sepse relativisht vonë i kemi marrë listat e studentëve që do të ndjekin trajnimet dhe lokacionin ku do t'i ndjekin trajnimet”, shtoi Gazmend Selmani, kryesues i Bordit në PBC.

Vlera e kuponit për një nxënës është 600 euro. 200 euro nxënësit i kanë marrë për shpenzime indirekte.

Ndërkaq kompanive fillimisht do t’u ndahen nga 150 euro, ndërsa pjesa tjetër do të ekzekutohet nëse nxënësit arrijnë të përfundojnë kursin.

Ndërkaq 100 euro ndahen për nxënësin në momentin kur ai e merr certifikatën.