Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit i ka thënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se kërkesa për sigurimin e qasjes dhe funksionalitetit të qendrave të votimit për procesin e votimin për apo kundër largimit të kryetarëve në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, duhet t’i drejtohet kryetarëve të komunave.
Ministria i është përgjigjur KQZ-së se shkollat janë kompetencë e komunave.
“Në bazë të nenit 7 të Ligjit të Arsimit Parauniversitar dhe nenit 5 të Ligjit për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës, shkollat janë kompetencë e komunave, përkatësisht komunat kanë kompetencë ekskluzive për shkollat në territorin e tyre”, ka thënë MASHTI në përgjigje.
KQZ-ja u ka shkruar kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit lidhur me mundësitë e shfrytëzimit të shkollave si qendra votimi më 21 prill. Por, KOHA pati raportuar se KQZ-së po i bëhet presion që të ndryshohet ky vendim.
Burime të KOHËS kanë thënë se institucionet ilegale të Serbisë ua kanë ndaluar drejtorëve të shkollave serbe në Mitrovicë të Veriut, çfarëdo komunikimi me përfaqësues institucionalë të Kosovës.