Arbëri

MASH-i s’ofron zgjidhje për shumë nxënës që duhet të udhëtojnë

Fillimi i vitit të ri shkollor në kohë pandemie i pret nxënësit mes paqartësive për mënyrën e transportit nëpër shkolla.

Me afrimin e datës së hapjes së shkollave linjat urbane vazhdojnë të punojnë me kapacitet të limituar prej 20 personash për një drejtim.

Për nxënësit që banojnë nëpër fshatrat e kryeqytetit apo në periferi zyrtarë nga Drejtoria e Arsimit në Komunë thonë se për nxënësit filloristë është i siguruar transporti nga Komuna përmes linjave të veçanta.

Megjithatë, ata që nuk do të përfitojnë nga sigurimi i shërbimit me këto linja janë nxënësit e shkollave të mesme.

Nga Komuna thonë se për këtë të fundit përpos problemeve të tjera nuk kanë as buxhet që t’i transportojnë.

E ndonëse numri i lejuar i udhëtarëve është rritur për 5 persona më shumë, sipas kryeshefit të “Trafikut Urban”, ata do të vazhdojnë të punojnë me gjysmën e kapaciteteve.

Derisa nga MASH-i kanë thënë se kjo çështje nuk është në kompetencat e tyre, porse të drejtorive të arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje nëse parashihet plan i lirimit të masave apo jo.