Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit e gjejnë edhe vendin në situatë gati të ngjashme shkaku i pandemisë.
Sfidues pritet të jetë respektimi i masave nga partitë politike gjatë fushatës dhjetëditëshe.
Kjo pasi distanca, numri i pjesëmarrësve në tubime e mbajtja e maskave nuk u respektuan nga disa parti gjatë zgjedhjeve për kryetar të Podujevës.
Por Lëvizja Vetëvendosje po zotohet se pas rastit në Llap do t’i shmangë tubimet me shumë njerëz dhe një pjesë të fushatës do ta orientojë në media.
“Ajo përvojë në Podujevë ka qenë hera e parë që një palë zgjedhje janë organizuar në ato rrethana, edhe për neve ka qenë hera e parë. Ne e kemi kuptuar cilat kanë qenë lëshimet nga ana jonë, prandaj jo shërben si përvojë e vyeshme për organizimin e fushatës gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit”, ka thënë zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu.
Një zotim të tillë e ka dhënë edhe PDK-ja, ndonëse në takimet me strukturat e saj, si ky në Skenderaj, siç shihet, kufizimet nuk u respektuan.
“Në këtë aspekt do të jemi shumë të kujdesshëm që t'i ruajmë sa më shumë që është e mundur jetën e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre... Mirëpo PDK-ja ka marrë masa që fushatën që do ta ndërmarrim në rrjete sociale do të jetë në përputhje jo vetëm me ligjet kundër lajmeve të rrjeshme, por në përputhje me etikën dhe parimet që i ndjek Partia Demokratike në këto zgjedhje”, është shprehur Avni Bytyçi, zëdhënës i PDK-së.
Para dy jave tubim në ambient të mbyllur me dhjetëra njerëz të strukturave të veta ka organizuar edhe LDK-ja.
Kjo parti nuk i është përgjigjur interesimit të KOHËS rreth mënyrës se si do ta zhvillojë fushatën për zgjedhjet e muajit të ardhshëm.
Bazuar në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, qytetarët që nuk zbatojnë kufizimin e lëvizjes gjobiten me 200 euro, kurse gjoba për mosmbajtje të maskës është 35 euro.