Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës nuk pritet që të largohen së paku deri në shtator. Kjo, pasi udhëheqja e politikës së jashtme të BE-së ka shkuar në pushim dhe se deri në fillim të shtatorit do të shqyrtohen vetëm çështje urgjente, e që sipas njohësve të integrimeve evropiane, Kosova nuk konsiderohet e tillë. Nga Qeveria thonë se BE-ja duhet të largojë masat, e nga BE-ja kanë heshtur lidhur me këtë çështje
Udhëheqja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian ka shkuar në pushim njëmujor pa një përgjigje për sanksionet që i janë vënë Kosovës në fund të qershorit si masë ndëshkuese për Qeverinë që nuk pranoi propozimet e BE-së për shtensionim situatës në veri.
Ani se Kosova bëri hapa për shtensionim të veriut, sipas një marrëveshjeje të arritur në mes kryenegociatorit Besnik Bislimi dhe emisarit Miroslav Lajçak, nga BE-ja nuk kanë bërë të ditur nëse do të hiqen këto sanksione.
Demush Shasha, drejtor i Instituti EPIK, ka shprehur bindjen se gjatë pushimeve verore institucionet e BE-së nuk do të merren me çështjen e Kosovës, pasi siç ka thënë, nuk e konsiderojnë urgjente.
“Në përgjithësi si rregull nga 1 gushti deri në 1 shtator institucionet e BE-së e zvogëlojnë maksimalisht nivelin e punës duke u marrë vetëm me gjërat urgjente. Çështja e masave ndaj Kosovës nuk bie në këtë kategori, pasi që nuk konsiderohet urgjente, dhe pasi që nuk prodhojnë efekte të pariparueshme”, ka thënë Shasha.
Këtë javë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se shefi i Politikës së jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell, ka nisur pushimin dhe se deri në fund të gushtit nuk do të ketë aktivitete. Në Bruksel nuk treguan të shtunën nëse gjatë kësaj periudhe mund të shqyrtohen masat ndaj Kosovës.
E në Qeveri janë shprehur se masat do të duhej të hiqeshin tashmë, meqë janë përmbushur hapat e parë për deeskalim, konform marrëveshjes Kosovë-Be.
“Ky dakordim tregoi që ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së dhe rrjedhimisht u përgjigjet atyre. Për ne ka qenë e qartë që nga fillimi që kjo është rruga për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Mungesa e kësaj rruge ka qenë arsyetimi i BE-së për vendosjen e masave ndëshkuese. Tash gjetja e rrugës nënkupton edhe instrumentin apo mekanizmin për heqjen e të njëjtave masa ndëshkuese", thuhet në përgjigjen e tyre për KOHËN.
Edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pas takimit që pati të mërkurën në Bruksel me emisarin e BE-së për dialogun, Mirosllav lajçak, shprehu habinë për mos heqjen e masave.
“Për ne është habi që edhe 8 ditë pas dakordimit në Bratisllavë ende nuk kemi një letër shpjeguese që kërkon heqjen e masave nga ana e Komisionit dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Por, Demush Shasha beson se masat do të mbesin në fuqi deri sa BE-ja të konstatojë se Kosova ka marrë hapa të pakthyeshëm për përmbushjen e tri kërkesave të vendosura, meqë konsideron se fillimi i zbatimit të këtyre hapave nuk do të mjaftojë.
BE-ja i vuri masa të karakterit politik e ekonomik Kosovës, pasi Qeveria refuzoi që t’i heqë menjëherë kryetarët e komunave të veriut nga zyrat dhe policinë nga dhe përreth ndërtesave komunale.
Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së komisioneve të përbashkëta në mes të BE-së dhe Kosovës, të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, mosdërgimi i ftesave zyrtarëve të Kosovës për takime të nivelit të lartë, suspendimi i vizitave bilaterale, me përjashtim të atyre që kanë për qëllim fokusimin në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Pjesë e sanksioneve janë edhe pezullimi i programit të IPA 2024 për Kosovën dhe mosshqyrtimi i projekteve në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Bashkimi Evropian u ka paraqitur tri kërkesa Kosovës dhe Serbisë për të shtensionuar situatën, të cilat ende nuk janë plotësuar.
Kosovës i është kërkuar që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative; Serbisë i është kërkuar të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës; dhe të dyja shteteve u është kërkuar shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to.
Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, BE-ja që nga fundi i qershorit po zbaton disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, por jo edhe ndaj Serbisë.
Kryeministri Kurti i ka quajtur këto masa “të padrejta” dhe është shprehur i gatshëm të organizohen zgjedhje të reja në veri, por ato, siç ka thënë ai, duhet të përgatiten që të mos ketë sërish bojkot.
Kryetarët e rinj në komunat veriore u zgjodhën më 23 prill në votimet që u bojkotuan nga popullata dhe partitë serbe.