Për herë të parë, këtë vit Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ka arritur ta përfundojë deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë në kohën e paraparë me Ligjin mbi deklarimin e pasurisë, e cila zgjat një muaj.
Masat e marra nga Qeveria shkaku i pandemisë ka bërë që Agjencia Kundër Korrupsionit ta shtyjë në afat të pacaktuar deklarimin e pasurisë, duke ua mundësuar zyrtarëve që këtë ta bëjnë vetëm në formë elektronike, raporton KOHA.
E ndonëse deklarimi ka nisur më 1 mars, jo të gjithë zyrtarët publikë i janë përgjigjur thirrjes.
Megjithatë, zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit thonë se ata ende nuk do të caktojnë një afat për deklarim të pasurisë.
E si pasojë e masave të Qeverisë, AKK nuk posedon as numrin e zyrtarëve të cilët për herë të parë do ta deklarojnë pasurinë këtë vit.
Këtë vit, 4 mijë e 694 zyrtarë e kanë për obligim ligjor deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Deklarimit vjetor të pasurisë janë të obliguar t'i nënshtrohen të gjithë zyrtarët e lartë publikë, me përjashtim të atyre që kanë deklaruar pasurinë me rastin e marrjes së detyrës pas datës 1 janar të këtij viti.