Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Skender Rracaj, tregoi se pas pushkatimit të të burgosurve në Dubravë, gardianët i kishin detyruar që t’i bartin kufomat në kamionë, e në mesin e atyre që urdhëruan një gjë të tillë ishte i akuzuari Gavrilo Milosavleviq.
“Tjetra që ka qenë edhe ma e rëndë për ne, më 24 maj 1999 kur na kanë bë transferin për Lipjan, na kanë shti me i ngarku kufomat e shokëve tanë që i kanë vra këta, ku në mesin e tyre ka qenë edhe i pandehuri që është këtu dhe na kanë urdhëru me i ngarku në kamionë”, tha ish-i burgosuri Rrecaj.
Në këtë rast, Gavrilo Milosavleviq në cilësinë e gardianit në burgun e Dubravës po akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.
Ai deklaroi se emri i të akuzuarit Gavrilo Milosavleviq nuk mund të jetë i panjohur për të.
“Unë jetoj 6 kilometra larg Istogut, nuk mundet me qenë i panjohur për ne dhe shokët e tij që kanë marrë pjesë në Masakrën e Dubravës dhe maltretimet që kanë bërë”, tha Rracaj.
Pseudonimin e të akuzuarit Milosavleviq- “Gagi”, dëshmitari tha se për herë të parë e kishte dëgjuar kur ishte në burg, duke shtuar se ishte e pamundur të mos dihen pseudonimet e gardianëve shkaku i dhunës që ushtronin ndaj tyre.
“Unë nga janari i vitit 1999 kam qenë në Dubravë deri më 24 maj 1999. Aty përreth 4 muaj kemi qëndru dhe ka qenë e pamundur mos me ditë pseudonimet e gardianëve për shkak të presionit dhe dhunës që kanë ushtruar ndaj neve, ku në mesin e tyre është pseudonomi i të akuzuarit. Për të cilin kanë deklaru edhe në Prokurori që ka ardhur në pavionin C ku kemi qenë të izoluar dhe kanë rrahur të burgosur me kolegë të vet”, shtoi ai.
Rracaj tha që emrin e të akuzuarit e ka kuptuar nga mediat pas arrestimit të tij, në momentin kur ai ishte duke shkuar në Polici për të dhënë deklaratë.
“Emrin ia kam kuptuar përmes mediave, kur kam shkuar te Asllan Visoqi më ka pyetur se ku po shkon dhe i kam thënë që po shkoj në stacion lidhur me arrestimin dhe aty më ka thënë qe ai është djali i Fiqës”, shtoi Rracaj.
I pyetur se përse në atë deklaratë nuk e kishte përmendur emrin e të akuzuarit por vetëm “maca” dhe “sefakllën”, dëshmitari tha se nuk i ishte kujtuar.
“Atëherë nuk më është kujtu sepse siç e theksova më herët kam problem me harresën, por me rëndësi është që ka qenë pjesëmarrës në Dubravë dhe këtë nuk mundet ta mohojë askush”, tha Rracaj.
Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Vesel Ismajli, se çfarë iu kujtua kur pa në medie emrin e të akuzuarit, Rracaj tha se ai ka qenë momenti më prekës.
“Aty për mua ka qenë momenti më prekës, sepse mu kujtua momenti kur ka ndodh pushkatimi i shokëve në fushën e sportit kur “Gagi” ka qenë te karaulla dhe ku kanë jep urdhër për me i vra të burgosurit dhe për këtë jam i sigurt”, u shpreh ai, duke treguar më pas se ishin detyruar t’i bartnin kufomat në kamionë.
Ai tha se në qelitë ku po qëndronin, gardianët kishin hyrë sa herë kanë dashur dhe i kanë rrahur.
“Në burg te ne kanë ardhë sa herë që kanë dashtë, nuk ka pas orar për ta. Për ta arsye kanë pas me na rreh, me na maltretu, sepse ne rendin shtëpiak e kemi respektu”, tha dëshmitari.
Gjatë asaj kohe sa ishin të burgosur, Rracaj thotë se ishin vizituar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, mirëpo kjo ka qenë vetëm më keq për ta.
“I kemi paraqitur para Kryqit të Kuq të Gjenevës, por atëherë e kemi pësuar edhe më keq… na kanë rreh, sepse po ankohemi, na kanë thënë që ne nuk mundemi me ju mbajt këtu siç po kërkoni ju, edhe pse nuk kemi kërkuar asgjë vetëm ato të drejta që i përkasin të burgosurve, po ato ne nuk i kemi gëzuar kurrë për tri vite rresht”, tha Rracaj.
Gjatë kësaj seance, është dëgjuar edhe dëshmitari Bajram Behluli, i cili gjatë periudhës 1989-1998 kishte punuar si gardian në burgun e Dubravës. Behluli gjatë dëshmisë së tij tha që të akuzuarin e kishte parë gjatë kohës së pauzës dhe se ua bënte fotografitë e të burgosurve.
“Nga viti 1988 deri më 1994 jam vendos në sigurim të brendshëm në pavion, të akuzuarin nuk mundem me thanë që nuk e kam parë, e kam parë ku kemi dalë në pauzë, por asnjëherë nuk e kam përshëndetur. Atë e kam parë që ky ka qenë me një aparat në dorë i cili ka shku në dhomën e pranimit kur kanë ardhur të burgosurit i ka fotografuar, më tepër nuk di”, tha ai.
Behluli shtoi që emrin e të akuzuarit Milosavleviq e ka dëgjuar në medie pasi që është arrestuar.
Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohet edhe dëshmitari Binak Bujupaj, por i njëjti mungoi. Në këto rrethana, seanca u ndërpre për të vazhduar një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2023, thuhet se Gavrilo Milosavlevq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzor ndaj të burgosurve civilë shqiptarë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në bashkëkryerje me njësitë policore serbe Milosavleviq kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut të dalin 1 mijë të burgosur te vendi i quajtur “Fusha e Sportit”, me pretekstin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Tutje në aktakuzë thuhet se menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve ushtarët serbë kishin gjuajtur në drejtim të të burgosurve me mitraloz, mortajë dhe armë të tjera dhe se ky operacion i vrasjes i cili kishte filluar nga 22 maj 1999 dhe kishte zgjatur deri më 24 maj 1999, ku si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarak serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë nëpër pavijonet e Burgut të Dubravës, konkretisht në pavionin “B” dhe “C”, duke i rrahur në mënyrë mizorë dhe çnjerëzorë të burgosurit civilë shqiptarë.
Në aktakuzë përmendet se si disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur edhe Ukshin Hoti, Gani Baliu, Skender Gashi, Mehmet Memqaj, dhe Shkelqim Zllanoga ku të njëjtëve u kishin fikur dritat fillimisht dhe pastaj ju kishin drejtuar me fjalët, Ukshin Hotit “ Profesor sherri juaj po na ndodhin bombardimet e NATO-s”, duke e ofenduar dhe sharë gjatë gjithë kohës, sa që në një moment thuhet se rojat kishin kapur për fyti Shkelqim Zllanogën ku thuajse ja kishin ndalur frymëmarrjen.
Për këto veprime i akuzuari Milosavleviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”. e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ” LP i RSFJ-së “) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale./BetimipërDrejtësi