Shefi i Repartit Neurologjik në Spitalin Rajonal "Isa Grezda" të Gjakovës, Jetish Jetishi ka thënë të premten për KOHËN se ndjen keqardhje për rastin e dhunës që ka ushtruar një grua ndaj bashkëshortit të saj, pjesërisht të palëvizshëm në këtë repart, por jo edhe përgjegjësi.
Ai ka paralajmëruar masa të shpejta ndaj një mjeke dhe 2 infermiereve në lidhje me rastin.
"Tashmë janë marrë deklaratat e tyre dhe priten masat që sot", ka thënë Jetishi.
I pyetur nëse ndihet përgjegjës si shef reparti për rastin, Jetishi e ka mohuar këtë.
"Jo, nuk jam përgjegjës, pasi ka kohë që kam kërkuar staf kujdestar në repart dhe nuk më është lejuar, kam kërkuar staf shtesë, nuk është rritur stafi, mandej infermierët nuk më përgjigjen mua si shef reparti, por kanë tjetër epror sipas skemës organizative të spitalit", ka arsyetuar Jetishi.
Në lidhje me rastin një ditë më parë drejtori i Spitalit "Isa Grezda", Ardian Jusufi ka komentuar shumë shkurt.
"Rasti është proceduar konform rregullave", ka thënë ai.
Gjatë ditës së enjte, në rrjetet sociale ka qarkulluar një video ku shihet një grua teksa ushtron dhunë fizike ndaj bashkëshortit të saj të palëvizshëm, në Spitalin e Gjakovës.
Të dyshuarës i është caktuar të premten masa e paraburgimit prej 30 ditësh.