Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci që ndodhet për një vizitë në Shtetet e Bashkuara, pati një takim të mërkurën me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien, ku u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Maqedonci shprehu vlerësimin për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Lidhur me kërkesën e Shteteve të Bashkuara për formimin e shpejtë të Asociacionit, ai tha se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet si nga Kosova dhe Serbia në tërësi dhe se çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën.
“Marrëveshja e Ohrit, e arritur mes Kryeministrit Kurti dhe autoriteteve të Serbisë, vlerësojmë dhe kjo është thënë edhe nga Kryeministri, që duhet të zbatohet nga të dyja palët, normalisht. Të gjitha marrëveshjet brenda marrëveshjes kryesore duhet të zbatohen pa përjashtim. Ne vazhdojmë të theksojmë faktin që çdo marrëveshje, që do të nënshkruhet, normalisht që bazë kryesore duhet të ketë kushtetutën e Kosovës. Pra, duhet të jetë e padiskutueshme çështja se do të jenë ato në përputhje me kushtetutën e vendit tonë. Pavarësisht se ky proces u dëmtua rëndë nga sulmi terrorist i 24 shtatorit ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë, qeveria e Kosovës vazhdon ta ketë në fokus dialogun si mjet i vetëm për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme mes dy vendeve”, ka thënë ai në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.
Ai më tej ka thënë se ka marrë konfirmimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe personalisht O’Brien do të angazhohen në mbështetjen e Kosovës në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, me theks të veçantë integrimet euro-atlantike, programin e partneritetit të paqes dhe programe të tjera rajonale, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rol të veçantë.
“Sipas Ndihmës Sekretarit të Shtetit O’Brien, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë. Zhvillimi i këtyre kapaciteteve është bërë tashmë për disa vite në bashkëpunim të plotë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë të NATO-s”, është shprehur ai. /VoA