Arbëri

Maqedonci: Kosova e vendosur të anëtarësohet në NATO

Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se synimi kryesor është anëtarësimi i Kosovës në NATO.

Maqedonci ka thënë se FSK-ja po zhvillohet si një forcë profesionale e demokratike që mbikqyret nga autoritetet civile dhe si e tillë nuk paraqet kërcënim për askënd.

Ministri Maqedonci, më tej bëri të ditur detajet e armatimit të FSK-së gjatë parakalimit të paradës, duke përmendur llojet e tij si dhe pajisjet e tjera.

"Kosova është e vendosur që të anëtarësohet në NATO. Këtë e kemi theksuar në çdo takim me vendet anëtare të NATO-s, në të gjitha nivelet. Jemi duke ndërtuar Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në sipas standardeve të NATO-s. Jemi duke ndërtuar një forcë që synon të jetë pjesë e integruar e NATO-s dhe si e tillë orientohet në aktivitetet që ndërlidhen me aktivitetet që zhvillohen edhe në vendet e NATO-s", deklaroi Maqedonci në Radiotelevizionin publik. 

Ai tutje, foli edhe për mbështetjen ajrore, për dronët, duke sqaruar funksionet e tyre, ku, sipas tij, si mjete fluturuese pa pilotë, janë aktualizuar kohëve të fundit, duke u bërë mjet i domosdoshëm për ushtritë e botës.

"Në këtë aspekt, ne kemi shënuar sukses, duke pasur dronin 'Bajraktar' të B2, si pjesë të inventarit të FSK-së në një fazë të hershme. Jemi vendi i tretë në Evropë që kemi blerë këtë sistem", deklaroi Maqedonci.

Ai më tej shtoi se planifikohet të blihen edhe helikopterë në fazën e ardhshme, si asete të mbështetjes ajrore.

Duke folur për buxhetin e FSK-së, ministri bëri të ditur se në vitin 2023, janë ndarë diku rreth 204 milionë euro, teksa vuri në pah arritjen e standardit të buxhetimit të FSK-së në 2% të GDP-së.