Ministri i ri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se objektivi kryesor i ministrisë që drejton është zhvillimi i kapaciteteve ushtarake në përputhje me standarden e Aleancës veri-atlantike. Në paraqitjen e parë para mediave që nga marrja e postit, ai ka thënë se do të punojnë për integrim në NATO, por si pengesë kryesore në këtë rrugë ka identifikuar vendet anëtarë që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se fokusi i FSK-së është integrimi në NATO, por ka përmendur sfidën kryesore në këtë rrugë. Ajo lidhet me vendet anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Fokus yni është integrimi në NATO, porse varet edhe prej shumë faktorëve, ndër tjera prej faktorëve të njohjeve, pra vendet që nuk e njohin Kosovën. Mirëpo, FSK ka plotësuar dhe vazhdon t’i plotësojë të gjitha standardet për të bashkëvepruar me NATO-n”, ka thënë ai.
Në konferencën e parë për media pas marrjes së postit të ministrit, Maqedonci ka thënë se objektiv kyç i ministrisë është zhvillimi i kapaciteteve ushtarake në përputhje me standardet e aleancës veriatlantike. Ai ka thënë se do të fokusohet edhe në ndërtimin e kapaciteteve të reja ushtarake dhe ruajtjen e atyre ekzistuese.
“Objektivat kyçe që lidhen me Ministrinë e Mbrojtjes do të jenë fuqizimi i mbikëqyrjes demokratike, duke implementuar politikat e mbrojtjes së Qeverisë së Kosovës, zgjerimi bilateral që në vazhdimësi, pra bashkëpunimin në aspektin strategjik me aleatët tanë në veçanti me SHBA-në, por edhe aleatët e tjerë mbështetës. Objektivat e tjera në kuadër të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, zhvillimi i kapaciteteve ushtarake, kapacitetet e reja do të ndërtohen më përputhje me standardet e NATO-s, me aleatët dhe partnerët tanë me qëllim të ruajtjes së paqes sigurisë globale”, ka deklaruar Maqedonci.
Maqedonci e ka marrë pozitën e ministrit më 8 gusht, pas dorëheqjes së pararendësit të tij, Armend Mehaj. Pak ditë para se të bëhej ministër, Maqedonci është pensionuar nga shërbimi si kolonel i FSK-së.